Dritan Abazoviq ka konfirmuar se Mali i Zi po bëhet me Qeveri të re.
Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Abazoviq, në konferencë për media në Podgoricë ka thënë se Qeveria të cilës do t’i drejtojë ai si kryeministër do të koncentrohet në sundim të ligjit dhe zhvillim ekonomik, raporton “Vijesti”.
Do të jetë qeveria e 43-të e Malit të Zi.
“Ideja është që Mali i Zi të fitojë stabilitet, pajtim dhe perspektivë evropiane përballë destabilitetit politik. Ne nuk jemi kundër zgjedhjeve, por jemi kundër zgjedhjeve kur institucionet nuk funksionojnë. Sot nuk do të merresha me mbledhjen, e as ekspozenë, që është e kompletuar. Për mua, mund të mbahet seanca nesër. Por, është ditë pushimi, kështu që është më realiste javën e ardhshme. Mbeten te deputetët dhe ata të vendosin kur do të mbahet seanca”, tha Abazoviq. “Unë pres mbështetjen e 46 deputetëve”.
Abazoviq ka treguar se Qeveria e pakicave do të ketë 20 ministra dhe do të ketë 18 departamente.
Qeveria e drejtuar nga Abazoviq do të përbëhet nga pakicat kombëtare të Malit të Zi, si partitë SNP, SDP dhe Lëvizja Qytetare “Ura”.
Seanca për formimin e Qeverisë së re është paraparë të mbahet më 28 prill.