Musli Halimi i cili po dëshmon në gjykimin ndaj Salih Mustafës ka thënë se këtë të fundit nuk e ka njohur më herët veçse gjatë luftës ka dëgjuar se e mban pseudonimin Cali.
Dëshmitari i mbrojtjes ka thënë para trupit gjykues që nuk ka pasur ndonjë kontakt me Salih Mustafën gjatë luftës. Ai ka rrëfyer për aktivitetin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për çka ka theksuar se ka qenë komandat i qendrës stërvitore në Zllash.
Musli Halimi ka thënë se qendra stërvitore të cilën e drejtonte e ka zhvilluar aktivitetin në një objekt shkolle në Zllash.
“Calin nuk e kam njohur më përpara, por gjatë luftës e kam ditur pseudonim Calin, por nuk kam pasur kontakte me të sepse vija komanduese ka qenë e ndarë por kam dëgjuar. Kam qenë komandant i qendrës stërvitore dhe i kam dhënë llogari Brigadës 153”, ka thënë dëshmitari.
Nga avokati mbrojtës Julius Von Bone ai është pyetur edhe rreth njësisë BIA për ekzistencën e së cilës ka thënë se kishte dëgjuar.
“Kam dëgjuar, nuk kam pasur kontakt dhe nuk e di edhe ku kanë qëndrua, por kam dëgjuar që ka pasur një njësit me emërtimin BIA”, ka thënë dëshmitari.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari i 11 i mbrojtjes ka thënë se rekrutët qëndronin në qendrën stërvitore deri në mbarimin e stërvitjeve të tyre pastaj ktheheshin në njësitë prej të cilave kishin ardhur.
“Ora e parë ka qenë prezantimi i tyre shpjegimi i rregullave të qendrës stërvitore, mandej ka filluar orari i cili ka qenë i përcaktuar. Ne gjithmonë iu kemi përmbajtur orarit. E kam pasur orën unë apo një koleg tjetër, po zakonisht dita e parë ka qenë me mua, jemi marrë me përgatitje fizike dhe disa tema taktike ushtarake, gjërat elementare”, ka thënë Halimi.
Salih Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte. Ai po qëndron në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.