Femrat vuajnë shumë më shpesh nga kokëdhimbja në krahasim me meshkujt, ekspertët shpjegojnë arsyen

Studiuesit kanë ardhur në përfundim se rreth gjashtë për qind e femrave ose pak më shumë se një në njëzet prej tyre, vuajnë nga kokëdhimbja për të paktën gjysmë dite në muaj, krahasuar me 2.9 për qind të meshkujve.

Hulumtimi i tyre në shkallë globale për dhimbjen e kokës, gjithashtu arriti në përfundimin se femrat kanë dy herë më shumë gjasa të vuajnë nga migrena sesa meshkujt.

Sipas të dhënave të mbledhura, 17 për qind e femrave vuajnë nga migrena që mund të zgjasë deri në tre ditë dhe të çojë në të vjella dhe ndjeshmëri ndaj dritës dhe zhurmës. Por, migrena prek vetëm 8.6 për qind të meshkujve.

Ekspertët pohojnë se ndryshimet në hormone mund të jenë një nga arsyet pse femrat janë më të prekura, sepse çdo luhatje e estrogjenit mund të shkaktojë dhimbje koke.

(Foto: Novant Health)

Përmbledhja e gjerë e kryer nga Universiteti Norvegjez i Shkencës dhe Teknologjisë ka përfshirë 357 studime mbi dhimbjet e kokës nga vitet e gjashtëdhjeta deri më sot. Studiuesit vlerësojnë se afërsisht një në gjashtë njerëz në botë ka kokëdhimbje çdo ditë.

Hulumtimi i botuar në The Journal of Headache and Pain zbuloi se njerëzit në vendet me të ardhura të larta raportojnë një rritje të shkallës së dhimbjes së kokës, megjithëse kjo mund të jetë për shkak se më shumë studime janë kryer në vendet e pasura.

(Foto: RNA)

“Femrat vuajnë shumë më tepër se burrat nga dhimbjet e kokës që e bëjnë jetën më të vështirë – migrena dhe kokëdhimbje që zgjasin 15 ose më shumë ditë në muaj”, ka thënë udhëheqësi i hulumtimit, profesori Lars Jacob Stovner.

Autorët, të cilët thonë se metodologjia e studimeve të ndryshme mund të prodhojë disa shifra jo të besueshme, nuk mund të jenë të sigurt nëse problemi është në rritje.

Mirëpo, profesori Stovner ka sqaruar: “Ne kemi zbuluar se prevalenca (përhapja) e çrregullimeve të kokëdhimbjes mbetet e lartë në mbarë botën dhe se barra e llojeve të ndryshme mund të prekë shumë njerëz. Ne duhet të përpiqemi ta zvogëlojmë këtë barrë përmes parandalimit dhe trajtimit më të mirë”.