Avioni i madh ushtarak ateron në Prishtinë, sjell ndihma për ushtarët e KFOR-it

Një aeroplan A400M i forcave ajrore të Britanisë së Madhe, fluturoi nga “RAF Brize Norton” në aeroportin e Prishtinës.

Fotografitë edhe informacionet për aterimin e këtij aeroplani i ka bërë KFOR përmes një postimi në Facebook.

Aterimi i këtij aeroplani u bë me qëllim për të kryer një operacion ndihmës në Kosovë për forcat tokësore ushtarake britanike të dislokuara në KFOR.

Avioni A400M është një mjet strategjik shumë funksional, i aftë për të transportuar ngarkesa të rënda në distanca të konsiderueshme, në lartësi të ndryshme me aftësinë për të ulur në pista shumë të shkurtra.

A400M operohet gjithashtu nga forcat ajrore në Gjermani, Francë, Spanjë, Turqi dhe Belgjikë duke formuar shtyllën kurrizore të transportit ajror të NATO-s./IndeksOnline/