Deputetët të cilët mungojnë në seancat e Kuvendit të Kosovës së shpejti pritet të ndëshkohen financiarisht. Një gjë e tillë po kërkohet të bëhet edhe për anëtarët e Qeverisë. Shoqëria Civile kërkon që në Projektligjin për Qeverinë, i cili është duke u shqyrtuar në Kuvend, të përfshihen sanksione ndaj ministrave apo stafit të tyre që bojkotojnë punën. Opozita thotë se do të propozojë një amendament të tillë.
Deputetët kanë në dorë një nismë ligjore të cilën Qeveria nuk e ka pasur asnjëherë.
Projektligji për Qeverinë është duke u shqyrtuar në komisione parlamentare, pasi fillimisht u miratua në lexim të parë.
Por, drafti aktual nuk përmban dispozita të cilat do të ndëshkonin ministrat dhe zyrtarët tjerë që bojkotojnë punën, por të cilët shfrytëzojnë privilegjet që i ofron shteti.
Përfshirjen e një neni të tillë në këtë projektligj e kërkojnë anëtarë të shoqërisë civile.
Drejtoresha e Lëvizjes “FOL”, Mexhide Demolli – Nimani, thotë ligji do të aktivizohej në rastet si ai i fundit, kur ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, bashkë me stafin e tij bojkotuan punën për një javë.
“Përderisa mungon t’u largohet mëditja. Njëjtë besoj që do të duhej të rregullohej një gjë e tillë edhe për zyrtarët e Qeverisë, qoftë ministra, zëvendësministra që përderisa nuk dalin në punë duhet t’u ndalen privilegjet të cilat i marrin bashkë me pozitën e tyre”, deklaroi Demolli – Nimani për RTV Dukagjinin.
Aktualisht, në këtë projektligj është duke punuar komisioni për Administratë Publike.
Nënkryetari i këtij komisioni nga PDK, partia më e madhe opozitare, Mergim Lushtaku thotë se vet ai do ta propozojë amendamentin e kërkuar nga shoqëria civile.
“Sigurisht që do të shqyrtojmë mundësinë që të shtjellojmë dhe të vendosim një amendament por sigurisht që kjo është ide e qëlluar dhe besoj që me këtë propozim do të lehtësohet në një far forme edhe vetëdijësimi i disa ministrave për t’i kryer punët dhe detyrat e veta”, tha Lushtaku.
Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet thonë se një nen i tillë mund të përfshihet në projektligj.
“Kushdo që do me propozu do të ketë mundësi në dëgjimin publik që do të organizohet nga grupi punues dhe sigurisht ato do të shqyrtohen, do të amendamentohen dhe në fund do të sillen në seancë në lexim të dytë nëse e shohin deputetët të arsyeshme që të votojnë një propozim, cilido që është ai, sigurisht që do të jetë pjesë e këtij ligji”, deklaroi Valon Ramadani.
Sanksione të ngjashme, por për deputetët, janë përfshirë në rregulloren e re të Kuvendit, e cila pritet të miratohet gjatë javëve në vijim./RTV Dukagjini/Telegrafi