Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka quajtur “të varfër” politikën fiskale e sociale të Qeverisë Kurti, teksa ka kërkuar ndër të tjera edhe lejimin e tërheqjes së trustit pensional.
Hoti, me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Facebook’, ka thënë se kjo ndihmë e ofruar nga Qeveria nuk përfshin bujqit.
“Vendimi i sotëm reflekton varfërinë e politikave fiskale dhe sociale të Qeverisë për të mbrojtur standardin e jetës së familjeve. Kjo ndihmë e njëhershme prej 100 euro, sado e dobishme, nuk e zgjidh problemin e rritjes së çmimeve. Për më tepër, kjo ndihmë nuk përfshinë mijëra të papunë dhe ata që merren me bujqësi”, ka thënë ndër të tjera Hoti.
Deklarimi i tij vjen pas vendimit të Qeverisë për ndarjen e 100 eurove për kategoritë shoqërore si në vijim: pensionistët, përfituesit e skemave sociale, studentët dhe punëtorët e sektorit publik e privat.
Postimi i plotë i Hotit:
Vendimi i sotëm reflekton varfërinë e politikave fiskale dhe sociale të Qeverisë për të mbrojtur standardin e jetës së familjeve. Kjo ndihmë e njëhershme prej 100 euro, sado e dobishme, nuk e zgjidh problemin e rritjes së çmimeve. Për më tepër, kjo ndihmë nuk përfshinë mijëra të papunë dhe ata që merren me bujqësi.
Duhet ndërmarrë masa afatgjate, të cilat i kemi propozuar kur filloi të shfaqet kriza:
(i) Nuk është dashur të rritet çmimi i energjisë.
(ii) Duhet të indeksohen përfitimet pensionale dhe sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike.
(iii) Duhet të rriten subvencionet në bujqësi.
(iv) Duhet të rritet paga minimale
(v) Duhet konsideruar tërheqjen e një shume të kursimeve pensionale.