Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar me Përfaqësuesen Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefen e Misionit të UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, para seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku do të bëhet raporti i Sekretarit të Përgjithshëm Guterres për punën e UNMIK-ut.
Vuçiq ka theksuar se Serbia, si gjithmonë, është e përkushtuar për vazhdimin e bashkëpunimit me UNMIK-un dhe se i konsideron të rëndësishme reagimet e OKB-së ndaj incidenteve dhe provokimeve të shumta.
Vuçiq ka theksuar se kontaktet e rregullta me përfaqësuesit e UNMIK-ut janë të rëndësishme për Serbinë për shkak të ruajtjes së vazhdimësisë së shqyrtimit të çështjes së Kosovës, njoftoi Zyra për Bashkëpunim me Media e presidentit serb.
“Për Serbinë, OKB-ja është organizata më e rëndësishme ndërkombëtare në kontekstin e ruajtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit dhe ne, si gjithmonë, jemi të përkushtuar për vazhdimin e bashkëpunimit të UNMIK-ut”, theksoi Vuçiq.
Ai shtoi se Serbia i konsideron të rëndësishme reagimet në kohë, adekuate dhe të dukshme të OKB-së ndaj incidenteve dhe provokimeve të shumta.
Në këtë kontekst, Presidenti shprehu shpresën se raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e UNMIK-ut, i cili duhet të prezantohet në seancën e ardhshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 20 prill, do të jetë i drejtë dhe i ndershëm dhe do të përmbajë të gjitha vërejtjet dhe shembuj të incidenteve në Kosovë, të cilat ai i prezantoi gjatë takimit me Ziadeh.
Vuçiqi tutje ka thënë se situata aktuale në Kosovë duhet të përmbajë një dënim të qartë dhe të mohimit të të drejtave themelore, provokimeve të rrezikshme dhe vendimeve të njëanshme të Prishtinës dhe shkeljeve të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Marrëveshjes së Brukselit, e cila vazhdimisht vë në pikëpyetje stabilitetin e të gjithë rajonit.
Vuçiq po ashtu përkujtoi se kanë kaluar nëntë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe se ende nuk ka progres në zbatimin e obligimeve të marra nga pala tjetër, para së gjithash në lidhje me themelimin e plotë të Bashkimit të Komunave Serbe.
Sipas Presidencës serbe, Ziadeh theksoi se mandati i UNMIK-ut dhe KFOR-it është i qartë, dhe se qëllimi dhe roli i këtyre misioneve janë të përcaktuara qartë, dhe se prania e misionit është shumë e rëndësishme për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë, si përmes zbatimit të vazhdueshëm të Rezolutës 1244 të OKB-së dhe angazhimi për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të Brukselit.
Ajo gjithashtu theksoi domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe rëndësinë e të gjitha përpjekjeve në drejtim të bashkëpunimit konstruktiv rajonal.
Ziadeh poashtu e uroi Vuçiqin për fitoren e tij në zgjedhje.