IPK kërkon suspendimin e 26 policëve të arrestuar, në mesin e tyre edhe dy rreshterë

Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se me urdhër të Prokurorisë Speciale është duke vazhduar realizimin e operacionit të koduar me emrin “Pika 2”, i cili ka filluar në orët e hershme të mëngjesit në pikë kalimin kufitar në Vërmicë.

Sipas njoftimit nga IPK, sot janë arrestuar 26 zyrtarë policorë, në mesin e të cilëve edhe dy rreshterë policorë, që të gjithë të dyshuar për veprat penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje e ryshfetit”.

“Nga realizimi i veprimeve hetimore nga hetuesit e IPK-së ekziston dyshimi i bazuar se të arrestuarit në këtë rast janë të involvuar në veprimtari kriminale të veprës penale të “marrjes së ryshfetit” dhe “keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar” . Si pjesë e procedurave administrative nga IPK është dhënë edhe rekomandimi për suspendim nga detyrat e punës për zyrtarët tashmë të arrestuar. Hetimi ka përfshirë edhe bashkëpunimin me SPAK-un (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) Agjencinë për Mbikëqyrje Policore – AMP-së (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri) që ka rezultuar me arrestimin e disa të dyshuarve edhe në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftim, transmeton lajmi.net.

Njoftimi i plotë nga IPK:

Prishtinë, 8 prill 2022,

Inspektorati Policor i Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale është duke realizuar sot operacionin e koduar me emrin “Pika 2” që ka filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit në Prizren respektivisht në pikë kalimin kufitar në Vërmicë.

Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Hetuesit e IPK-së muaj më parë kanë pranuar informacione përmes rrugëve operative lidhur me dyshimet për përfshirjen në aktivitetet të kundërligjshme të disa zyrtarëve policorë të punësuar në Drejtorinë Rajonale kufitare “Perëndimi” në Gjakovë respektivisht pikë kalimit kufitar në Vërmicë.

Me autorizimin e Prokurorisë Speciale në kuadër të këtij hetimi nga hetuesit e IPK-së janë përshirë edhe masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit si dhe masat e nevojshme që të zbulojnë dhe të ruajnë gjurmët dhe provat tjera të veprave penale dhe sendet të cilat mund të shërbejnë si prova të cilat mund të përdoren në procedurë penale.

Bazuar në këto veprime të suksesshme hetimore, IPK në kuadër të operacionit “Pika 2” ka arrestuar sot 26 zyrtarë policorë (duke përfshirë dy rreshterë policorë dhe 24 zyrtarë policorë), që të gjithë të dyshuar për veprat penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “marrje e ryshfetit”.

Nga realizimi i veprimeve hetimore nga hetuesit e IPK-së ekziston dyshimi i bazuar se të arrestuarit në këtë rast janë të involvuar në veprimtari kriminale të veprës penale të “marrjes së ryshfetit” dhe “keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar” .

Si pjesë e procedurave administrative nga IPK është dhënë edhe rekomandimi për suspendim nga detyrat e punës për zyrtarët tashmë të arrestuar .

Hetimi ka përfshirë edhe bashkëpunimin me SPAK-un (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) Agjencinë për Mbikëqyrje Policore – AMP-së (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri) që ka rezultuar me arrestimin e disa të dyshuarve edhe në Republikën e Shqipërisë.

Hetuesit e IPK-së do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore në kuadër të këtij rasti në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.