Janë bërë gati 1 vit e gjysmë që kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi janë arrestuar nga Dhomat e Specializuara.
Që nga atëherë, procesi vazhdon të mbetet në fazën paraprake, e gjykimi duket ende larg. Avokatët e krerëve të UÇK-së kanë akuzuar gjyqtarin disa herë, se po e lejon Prokurorinë që të luajë me afatet kohore.
Megjithatë, me këtë nuk po pajtohet kryetarja e Dhomave të Specializuara të Hagës, Ekaterina Trendafilova.
Ajo ka thënë se deri më tani nuk ka pasur asnjë vonesë, duke qëndruar në linjë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
“Janë disa procese të rëndësishme që duhet të menaxhohen gjatë procedurës paraprake, dhe gjyqtari punon me palët për të përgatitur çështjen që gjykimi të zhvillohet sa më shpejt që është e mundur. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se në fazën paraprake ka vendime të rëndësishme për t’u marrë me kërkesat e parashtruara nga palët, siç janë vendimet për juridiksionin e gjykatës, formën e aktakuzës, aplikimet e viktimave, etj. Disa nga këto vendime ankimohen në Apel dhe gjithashtu kërkon kohë”, ka thënë Trendafilova në intervistë për Gazetën Nacionale.
Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Hagës, Ekaterina Trendafilova e ka konfirmuar se ka takime të rregullta me përfaqësues të shteteve të BE-së. Por që sipas saj, Specialja nuk ndikohet nga politika. Takimet e tilla ajo thotë, se janë më shumë për t’i informuar pasi gjykata financohet nga Bashkimi Evropian.
“Si pjesë e këtyre përgjegjësive, është e natyrshme që unë të takohem dhe të diskutoj çështjet e tilla me përfaqësuesit e shteteve. Më tej, siç është rënë dakord mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, Dhomat e Specializuara financohen nga BE-ja. Në këtë aspekt, në kuadër të funksioneve të mia si presidente, takohem me shefat e misioneve të BE-së. Gjatë këtyre takimeve, unë u jap atyre informacion të disponueshëm publikisht, një përditësim se ku qëndrojmë dhe gjithashtu u përgjigjem pyetjeve për këto çështje, në masën që këto informata janë publike. Dhomat e Specializuara kanë raportuar në mënyrë transparente që nga fillimi. Në të gjitha këto takime ku kam marrë pjesë, nuk ka pasur asnjë lloj ndërhyrje dhe as nuk do të lejoja që një gjë e tillë të ndodhë”, ka thënë Trendafilova.
Ajo e ka komentuar edhe deklaratën e saj të vitit 2017, ku kishte thënë se paraburgimi nuk mund të zgjatet më shumë se një vit pa nisur gjykimi.
“Megjithatë, të gjithë ata individë që aktualisht ndodhen në ambientet e paraburgimit në Dhomat e Specializuara, kanë pasur aktakuza të konfirmuara nga një gjyqtar i procedurës paraprake. Këta individë, nuk konsiderohen më si të dyshuar, por si të akuzuar. Rregulli 57 nuk e kufizon paraburgimin e tyre në një vit. Ligji parasheh që çdo dy muaj, gjyqtari ose trupi gjykues duhet të shqyrtojë nëse arsyet për paraburgimin e të akuzuarit vazhdojnë të ekzistojnë”, ka thënë Trendafilova.
Ajo ka bërë apel te qytetarët e Kosovës që të kenë besim në Gjykatën Speciale, pasi punojnë me përgjegjësi dhe pa ndërhyrje.