Propozimi i AKB-së: 250 euro pagë minimale dhe heqje të tatimit deri në këtë shumë

Mbledhja e fundit në Këshillin Ekonomik-Social, nuk prodhoi zgjidhje sa i përket propozimeve për pagën minimale. Propozimet ishin të ndryshme ndërsa një propozim që u mirëprit edhe nga Qeveria e Kosovës, ishte ajo e Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), që paga minimale të jetë 250 neto ndërsa 264 bruto.

Krahas pagës minimale prej 250 euro, AKB ka propozuar që të ndryshojë ligji për të ardhurat personale dhe norma e tatimeve për të ardhurat personale ku nga 0 deri në 250 euro të mos ketë tatime në pagën minimale.

Lumnije Hajdini, drejtore menaxhuese e AKB-së, thotë për Ekonomia Online se propozimi i tyre është pranuar edhe nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

“Çfarë ka ndodh po atë ditë në Këshillin ekonomik social në nenin 57 të Ligjit të Punës 03L212 çdo vit kalendarik Këshilli ekonomiko-social ia propozon qeverisë rritjen e pagës minimale. Neve atë ditë e patëm një dakordancë sepse në kuadër të këshillit ekonomik-social është autorizu komisioni profesional për paga çmime dhe pensione ku edhe si AKB marrim pjesë, ku kemi punuar në bazë të kritereve udhëtimit administrativ 09/2017, ku janë kriteret dhe formula për përcaktimin e pagës minimale. Po ashtu merret parasysh edhe direktiva e organizatës botërore të tregtisë ku merret parasysh se sa është një kriter shtesë që rritet përqindja e pagës mesatare me përqindjen e pagës minimale”

“Në bazë të saj ne kemi ardh në përfundim se në bazë të këtij komisioni ka dal paga dikund 350 euro kemi rekomanduar që të jetë për votim neto. Çfarë na ka ndodh, ne si përfaqësues të punëdhënësve nga AKB dhe Oda si dhe përfaqësues të qeverisë, ministri i financave, ministri i shëndetësisë e kanë votuar. Mirëpo nuk e kanë votuar BSPK-ja, sepse atë ditë kanë propozuar 300 euro. Tash ne e kemi përcjell gjatë këtyre tre jave, të gjitha rekomandimet nga ai takim nuk është bërë publik se çka ka ndodh me të vërtetë. Kjo është situata reale çka ka ndodh atë ditë, sepse BSPK ka kërkuar 300 euro pagën minimale ndërsa ne kemi dhënë 250 neto, ndërsa 264 bruto”, tha ajo.

Teksa ka folur për propozimet e tyre, Hajdini ka kërkuar që të bëhet edhe shtimi i numrit të inspektorëve të tregut. Thotë se institucionet duhet t’i ndëshkojnë bizneset që nuk e respektojnë qoftë pagën minimale apo të drejtat e punëtorëve.

“Mirëpo këtu kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta ndryshoj ligjin për të ardhurat personale, të ndryshohet norma e tatimeve për të ardhurat personale ku nga 0 deri në 250 euro të mos ketë tatime në pagën minimale. Duhet të kuptohet se paga minimale është një pagë bazë që nuk guxon një punëtor të paguhet nën pagën minimale. Këtu po e keqkuptojnë sepse me të vërtetë nuk është e kënaqshme, ne e dimë që po përballohemi me krizat e një pas njëshme. Ndikojnë sepse ne si Kosovë jemi në vend importues që importojmë rreth 80 për qind”, u shpreh ajo.

“Mandej këtu nuk ka pas edhe shumë kapacitete monitorimi siç them për inspektorat të tregut e të punës sepse mekanizmat për monitorim, mbikëqyrje dhe zbatim të ligjit ka qenë numri shumë i vogël, dhe e dimë se pat disa veprime konkrete nga inspektorati i tregut që i dhanë dënime disa bizneseve të papërgjegjshme që kanë bërë rritje enorme të çmimeve. Duhet qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Financave ta rrit numrin e kapacitetit në inspektoratit të punës që t’i monitoroj dhe t’i ndëshkoj ata biznese që nuk e respektojnë qoftë pagën minimale apo të drejtat e punëtorëve”, tha Hajdini.