Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) i ka dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës që deri para 2 prillit t’i miratojë dy kërkesat e tyre, atë prej 100 eurove për punëtorët e arsimit deri në miratim të ligjit të pagave si dhe kërkesën për takim me ekzekutivin. Në të kundërtën SBAShK paralajmëron që nga data 2 prill do të futen në grevë.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se janë të vetëdijshëm që fëmijët janë ata që do të pësojnë nga greva por që thekson se i gjithë faji është tek Qeveria e Kosovës.
“Gjërat siç po shkojnë tani kam frikë që 2 prilli do të na gjejë në këtë situatë që unë vlerësoj shumë të keqe. Ne duhet të raportojmë edhe në kongres ku janë përfaqësuesit e tërë sistemit arsimor që nga çerdhet e deri në universitet dhe përfaqësues të kulturës dhe duke u bashkuar me zërin e anëtarësisë do të marrin vendim të prerë që të shkohet në grevë”, tha ai
Kreu i SBASHK-ut tha se nëse fillohet me grevë atëherë nuk do të përfundojë derisa të arrihen marrëveshje për kërkesat e tyre. Për shtesën prej 100 euro, Jasharaj thotë se duhet të ndodhë për shkak edhe të rritjeve të çmimeve.
“Nga takimin i mbrëmshëm që e kishim me kryetarët e nivelit komunalë dhe të universiteteve shihej një atmosferë për një grevë të përgjithshme, që nënkupton në tërë sistemin arsimorë, shumë institucione të kulturës. Greva më pas nuk do të përfundojë derisa nuk arrihet marrëveshja e kam fjalën për kërkesën tonë deri në ligjin e pagave secilit të punësuar në sektorin e arsimit dhe të kulturës t’i shtohet në pagë një vlerë prej 100 euro për shkak të ngritjeve të tepërta dhe të vazhdueshme të çmimeve dhe kjo të vlejë deri në ligj dhe në momentin kur miratohet ligji kuptohet pas bashkëpunimit me sindikatë atëherë kjo shtesë nuk do ët vlente por do të vlente ligji i pagave[…]Pra janë dy kërkesa që mund të na dërgojnë në grevë çështja e ligjit të pagave”, tha ai
Jasharaj tha se deri tek greva vie meqë sipas tij Qeveria e Kosovës i ka ikur takimit me ta.
“Nëse deri të premten nuk kemi asnjë gjë asnjë takim asnjë përpjekje për të realizuar kërkesat tona atëherë[…]kongresi do të marrë vendim unanim për veprime sindikale[…]Dhe nëse ndodh greva jeni të vetëdijshëm se do të pësojnë ata që nuk kanë asnjë faj, fëmijët dhe nxënësit tanë. Por i vetmi që e ka fajin është Qeveria Kurti pse po i ik dialogut. Pse nuk po ulet të bisedojë me ne dhe sindikatat e tjera për tu përpjekur të bëjmë zgjedhje të mundshme. Nëse ata vazhdojnë kështu, grevë do të ketë, por fajtori i vetëm do të jetë Qeveria Kurti”, tha ai në një intervistë për KosovaPress.