Gjashtë raste të zjarrvënies janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë së dielës. Si pasojë e ndezjes së zjarreve në disa komuna, janë djegur dhjetëra hektarë mal, fusha, një vresht i papunuar si dhe një kabllo e rrjetit të një kompanie.
Në fshatin Rogoqicë të Kamenicës, një person ka raportuar se është përfshirë nga zjarri një pjesë e malit prej rreth 5 hektarësh.
“Njësitë relevante policore dhe zjarrfikësit kanë dal në vendin e ngjarjes. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit”, thuhet në raportin e policisë.
Ndërsa, në Samadrexhë dyshohet se deri sa ka qenë duke punuar në arat e tij, një person ka ndezur zjarrin për t’i djegur disa mbeturina dhe për një moment zjarri është përhapur duke djegur rreth 50 ari fushë si dhe një vresht të papunuar.
“Zjarrfikësit kanë arritur ta shuajnë zjarrin. Në konsultim me prokurorin kujdestar është iniciuar rasti dhe procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet tutje në raport.
Zjarrvënie raportohet se ka pasur edhe në fshatin Ujz i Gjakovës, ku si pasojë është djegur një kabllo e rrjetit të një kompanie.
“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti është duke u hetuar”, njoftoi policia të hënën.
Ndërsa, si pasojë e zjarrit në Drenoc të Rahovecit, është djegur një mal në afërsi të xhamisë së fshatit.
”Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse dhe zjarrfikësit janë duke u munduar ta lokalizojnë zjarrin. Rasti është duke u hetuar”.
Edhe në fshatin Bubël të Malishevës është raportuar se ka pasur zjarrvënie, ku si pasojë është djegur një pjesë e madhe e malit pronë publike.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse dhe zjarrfikësit janë duke u munduar ta lokalizojnë zjarrin. Rasti është duke u hetuar”.