Akademia e çmimeve “Oscars” reagon pas shuplakës së Will Smith ndaj komedianit

Në mbrëmjen e djeshme të çmimeve “Oscars”, jo gjithçka shkoi ashtu siç ishte planifikuar.

Deri sa komediani Chris Rock ishte duke udhëhequr mbrëmjen, ai nisi të bënte shaka edhe me disa nga emrat më të njohur të industrisë së filmit që ishin prezent në ceremoni.

Rock përmendi edhe gruan e aktorit Will Smith, Jada Pinkett Smith, me të cilën bëri shaka për shkak të rënies së flokëve, duke i thënë se mezi pret ta shohë në filmin “G.I. Jane 2”, duke iu referuar filmit i cili ishte prodhuar në vitin 1997 dhe kishte në rolin kryesor një femër e cila ishte dashur të hiqte flokët për t’iu bashkuar ushtrisë.

Por, Jada Smith vuan nga rënia e flokëve si pasojë e alopekisë, gjë që ka ndikuar edhe tek bashkëshorti i saj, aktori Will Smith, i cili pa hezitim ka shkuar në skenë duke e goditur me shuplakë komedianin Chris Rock.

E pas kësaj ka reaguar edhe Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ku ka dalë kundër dhunës.

“Akademia nuk e pranon dhunën e asnjë formë. Sonte ne jemi të lumtur të festojmë fituesit tanë të 94-të të çmimeve “Oscars”, të cilët meritojnë këtë moment njohjeje nga kolegët e tyre dhe dashamirësit e filmit në mbarë botën’”, ka shkruar organizata në Twitter pas ngjarjes.

Pas sherrit tronditës, Will Smith u nderua me “Oscar” në kategorinë për “Aktorin më të mirë” për interpretimin e tij në filmin “King Richard” dhe kërkoi falje me sy të përlotur gjatë fjalimit të pranimit të çmimit.

Ndërkohë, filmi “CODA” i prodhuar nga studio Apple Original Films me regji të Sian Heder u shpall fitues i edicionit të 94-të të ndarjes së çmimeve “Oscars”.