Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu në margjinat e Forumit të Dohas, ka zhvilluar takim me drejtoreshën menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva.
Gjatë takimit, Presidenca njofton se është biseduar për raportet dhe bashkëpunimin e Kosovës me FMN-në, situatën e gjithmbarshme ekonomike në vend dhe rajon, si dhe efektet potenciale ekonomike të luftës në Ukrainë.
“Presidentja Osmani informoi drejtoreshën menaxhuese të FMN për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë në hapat që po ndërmerr Republika e Kosovës për të ruajtur stabilitetin politik dhe ekonomik, përballë sfidave aktuale globale të krijuara nga lufta agresive e Rusisë kundër Ukrainës”, thuhet në komunikatën për media.
Po ashtu, bëhet e ditur se Osmani ka shprehur falënderim për angazhimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Republikën e Kosovës dhe ka rikonfirmuar rëndësinë që Kosova i kushton bashkëpunimit me FMN-në.
“Drejtoresha Ekzekutive e FMN-së, znj. Georgieva, vlerësoi progresin e gjithmbarshëm në Republikën e Kosovës, duke theksuar posaçërisht stabilitetin ekonomik dhe fiskal të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.
Georgieva ndër të tjera ka ritheksuar përkushtimin për vazhdimin dhe thellimin e komunikimit dhe bashkëpunimit në mes të FMN-së dhe Kosovës.