Sot shqyrtohet formimi i Komisionit Hetimor për “keqmenaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria Kurti”

Formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës është një nga pikat e rendit të ditës që pritet të diskutohet në seancën e sotme të Kuvendit.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës më 22 shkurt ka parashtruar kërkesën për themelimin e këtij komisioni parlamentar, në të cilin siç u tha, do të hetohen vendimet, veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë dhe institucioneve të tjera, në raport me menaxhimin e sektorit të energjisë.

Sipas deputetëve të kësaj partie, veçanërisht në muajt e krizës energjetike, janë keqpërdorur dhjetëra miliona euro, pa plan, pa strategji, pa transparencë dhe në mënyrë të kundërligjshme.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala kishte deklaruar në seancë se përmes komisionit hetimor parlamentar do të mund të dilte në pah e vërteta për keqmenaxhimin e Qeverisë Kurti në sektorin energjetik në vend.

“Në emër të PDK-së u kërkojmë të formojmë një komision hetimor parlamentar për sektorin energjetik të vendit ku bashkërisht do të shpalosim të vërtetën dhe keqmenaxhimin e kësaj qeverie në sektorin energjetik të vendit”, kishte thënë ai.