Konjufca: Albright dhe ShBA-ja iu gjetën popullit të Kosovës në ditët më të vështira

Me rastin e vdekjes së ish-sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bënë homazhe te busti i ish sekretares Albright në Prishtinë.

Kryeparlamentari Konjufca tha se populli Kosovës kurrë nuk do ta harrojë dhe gjithmonë do të jetë mirënjohës për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë Madeleine Albright për çlirimin dhe lirinë e popullit tonë.

“Bëmë hmazhe të busti i ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright e cila ndërroi jetë dje. Populli i Kosovës nuk do ta harroj kurrë e gjithmonë do të jetë mirënjohës për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë ajo për çlirimin dhe lirimin e popullit tonë. Bashkë me Bill Clintonin ishin forca kryesore e shtytëse në planin ndërkombëtar për ta ndalur gjenocidin e Serbisë mbi popullin e Kosovës”, tha ai.

“Në ditën e djeshme, presidenti Clinton në një adresim që ia bëri popullit amerikan, më së miri e përshkroi Albright-in. Ai tha se për popullin amerikan, ajo ishte thesar kombëtar. Ajo bashkë me ShBA-të, iu gjetën popullit të Kosovës në ditët më të vështira. Përkulemi përpara kontributit të Albright, u prehtë në paqe kjo zonjë e madhe dhe mikë e madhe e popullit të Kosovës”, shtoi Konjufca.