Aktivistja kosovare, Lura Limani ka reaguar në drejtim të mediumit të njohur amerikan, CNN, për artikullin e publikuar në të cilin thuhej se Sllobodan Millosheviq ka kryer gjenocid ndaj popullsisë etnike myslimane, duke thënë se gjenocidi në Kosovë është kryer mbi të gjithë shqiptarët, pa dallim feje.
“Hey CNN, Millosheviqi nuk ka kryer gjenocid kundër “myslimanëve etnikë” në Kosovë, por shqiptarëve etnikë të cilët janë myslimanë, katolikë, ortodoksë dhe madje edhe ateistë”, ka shkruar ajo në reagimin e saj në Twitter.
Deklarata për të cilën reagoi Limani ishte pjesë e shkëputur nga artikulli i CNN-it kushtuar ish-Sekretares së SHBA-së, Madeleine Albright, e cila vdiq mbrëmë në moshën 84 vjeçare.
“Ajo [Madeleine Albright] kishte rol vendimtar për ta bindur presidentin Bill Clinton për të ndërhyrë në Kosovë në vitin 1999 për të parandaluar gjenocidin ndaj popullsisë “etnike myslimane” nga ish-lideri i Serbisë Sllobodan Millosheviq”, thuhet në këtë shkrim.