Kurti tregon se sa para janë mbledhur deri tani për Fondin e Sigurisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dhënë shifra të sakta kur është pyetur se sa mjete janë mbledhur deri tani në Fondin e Sigurisë, por ka lënë të kuptohet që janë diku dhjetëra miliona euro.

Në një intervistë për televizionin publik, shefi i qeverisë është shprehur se ka kohë që nuk ka shikuar për të parë sa mjete janë mbledhur, por se i vjen keq që shifra nuk është bërë ende tetëshifrore.

Lajmi.net ka dërguar pyetje edhe në adresë të Ministrisë së Financave për të mësuar shifrën e saktë të mjeteve të grumbulluara në Fondin e Sigurisë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në fillim të muajit mars ka themeluar Fondin e Sigurisë, që ka për synim mbledhjen e mjeteve financiare, për t’i përdorur për strategjinë e sigurisë shtetërore të Kosovës.

Ndërsa, Ministria e Financave ka hapur llogari zyrtare bankare për pranimin e fondeve.