Si është dhe si paguhet puna e një tekstshkruesi të këngëtarëve kosovarë? Flet Avni Qahili

Muzika ka përjetuar evolucion të jashtëzakonshëm viteve të fundit, si në tregun muzikor shqiptar, por edhe në atë botëror.

Vite më parë në tregun muzikor shqiptar, primare ka qenë një këngë me një tekst të bukur, por kjo duket sikur ka ndryshuar me të madhe, shkruan lajmi.net.

Muzika shqiptare është dalluar gjithmonë për këngët me vlera dhe vargjet të cilat përcjellin një mesazh, dhe kjo ishte edhe arsyeja që shumica e këngëtarëve kujdeseshin që tekstet e tyre të realizohen nga tekstshkruesit më të mirë shqiptarë.

Por sa paguhet një tekstshkrues?

Ende nuk kemi arritur që të zbulojmë shifra të caktuara se sa është shuma që këngëtarët paguajnë për tekstshkruesit e këngëve të tyre.

Lajmi.net bëri përpjekje që të nxjerr detaje më të hollësishme, por ishte e pamundur të merrej ndonjë shifër.

Duke kontaktuar autorë të ndryshëm këngësh, lajmi.net arriti që të marrë pak detaje nga tekstshkruesi shumë i njohur shqiptar, Avni Qahili.

Qahili për lajmi.net nuk dha shifra por u shpreh se pagesat për tekste bëhen në varësi të këngëtarit apo buxhetit të tyre.

“Unë jam producent muzikor, dhe çmimet varen prej këngëtarit, varet prej buxhetit të tyre.”, u shpreh Qahili.

Autori i shumë teksteve, Avni Qahili tha se tekstet që ai i bën nuk i bën për para por për tantiema.

“Varet krejt, unë më tepër punoj për tantiema sesa për para. Shumicën e këngëve e bëj për tantiema, pra tantiemat janë të drejta autoriale, që do të thotë se unë i autorizoj të gjitha këngët e mia dhe në fund të vitit marrë honorarë.”, tha ndër të tjera ai.

I pyetur nëse tekstet që ai i bën janë kërkesë e këngëtarëve apo ato mbesin në dorën e tij, Qahili tha se tematikat i bën vet ai.

“Rrallë ndodh kur këngëtarët kanë një tematikë por kryesisht unë i bëj vetë, dhe sigurisht varet nga karakteri i këngëtarëve.”, përfundoi ai.

Sërish shifrat që marrin tekstshkruesit për një tekst të tyre mbeten enigmë dhe vështirë që do të bëhen të ditura ndonjëherë.