Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje për respektim të masave kundër COVID-19, teksa ka alarmuar se dy variantet e Omicron (BA.1 dhe BA.2) po vazhdojnë të përhapen me pasoja fatale.
Sipas institutit, situata epidemiologjike akoma është e rëndë, e javët e fundit me rritje të rasteve në Evropë dhe në botë.
“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.
“Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19 dhe parandalimin e valës së re”.