Jo se kombëtarja qëndron shumë mirë aktualisht, por futbolli vendor me Superligën dhe Ligën e Parë vazhdon të jetë shqetësimi kryesor. Një zinxhir problemesh – që të gjitha përfundojnë në fund në infrastrukturë – disi e pamundësojnë një zhvillim të kënaqshëm të nivelit të futbollit vendor.
Realisht, nuk mund të thuhet se Superliga e Kosovës nuk shihet, pasi ne e shohim – për të mos thënë një stagnim – një progres shumë, shumë të vogël. Superliga e Kosovës shihet, por shihet nga një audiencë e selektuar, kokëforte. Një audiencë që vet e kërkon Superligën, që shfaq interesim të shtuar, për të hulumtuar me mund rreth ngjarjeve në futbollin vendor. Me mund, pasi Federata e Futbollit e Kosovës me klubet që janë nën kupolën e saj, bëjnë shumë pak për ta prekur dhe tërhequr një ndjekës të futbollit – dikë që përcjell futboll ndërkombëtar, por nuk është i afërt me futbollin vendor.
Tifozi lokal është pa informacione prej skuadrës lokale. Krejt pak merr nga mediat.
Do të ishte e gabuar që FFK-së direkt t’i drejtohet gishti për këtë problem. Është organizimi vetanak i skuadrave vendore ai që duhet të jetë më i mirë. Por, çfarë FFK mund të bëjë, është të caktojë disa kushte parësore lidhur me ‘PR’ (Marrëdhëniet me Publikun). Shtëpia më e madhe e futbollit në vend duhet të shtyjë me forcë skuadrat – së paku ato elitare – për t’u afruar me audiencën. Sepse, Esse est percipi* – të jesh do të thotë të jesh i perceptuar.
Një gjë që konsiderohet si elementare për marrëdhëniet me publikun është publikimi i formacioneve zyrtare nga skuadrat, para një ndeshjeje të caktuar. Në Superligë, të rralla janë skuadrat që publikojnë formacionet zyrtare (në kohë). Dhe kjo mund të jetë një nga pikat në të cilat do të mund të intervenonte FFK. Kriter: Formacionet publikohen më së voni 45 minuta para ndeshjes. Sepse, nëse duhet ndjekur një shembull, sigurisht se duhet ndjekur shembulli më i mirë. Në Premier League, secila skuadër publikon formacionin zyrtar fiks një orë para ndeshjes. Sigurisht, lidhja mes tifozit dhe skuadrës ka një urë lidhëse të pashmangshme – lojtarët. Tifozi duhet të jetë i “familjarizuar” me lojtarët, për të qenë i afërt me skuadrën. Mund edhe të thuhet se mediat janë ato që duhet t’i japin audiencës neutrale informacionet e nevojshme. Por, e vërteta është se edhe media duhet të ketë një burim primar të qasshëm.
Më shumë se gjysma e skuadrave të Superligës së Kosovës kanë faqe zyrtare jofunksionale edhe gjatë një dite të ndeshjes. Formacione zyrtare të publikuara vonë ose fare. ASNJË foto nga ndeshja në zhvillim e lëre më të ketë mbulim të deklaratave të trajnerëve ose lojtarëve, para ose pas ndeshjes. Për secilën temë ka përjashtime. Njësoj ka edhe në këtë rast. Një skuadër tek e cila këtë edicion shihet një avancim i dukshëm në disa prej këtyre aspekteve është skuadra e Drenicës. Se sa e shohin ata të rëndësishëm problemin e ‘Marrëdhënies me Publikun’ dhe pse e kanë trajtuar me prioritet intervenimin në këtë pikë, për lajmi.net ka folur edhe Taulant Dajaku, zyrtar nga klubi i Drenicës, i cili ka shpjeguar idenë pak më gjerësisht.
“Është e rëndësishme (Marrëdhënia me Publikun) sepse në dinamikën e sotme të jetës, njerëzit e kanë pasion klubin dhe klubi është i obliguar që të krijojë një relacion korrekt me ata që na japin dashuri. E para për informim, e dyta për ta krijuar atë që njihet si përfaqësim apo gjithëpërfshirje, dhe e treta që është shumë e rëndësishme, është për të krijuar brendin. Nëse na tentojmë atë që quhet futboll ose ekonomi e futbollit në botë, ne duhet t’i ndreqim raportet tona me publikun tonë në radhë të parë, dhe e dyta duhet krijuar të ardhura – por kjo është në një fazë të dytë – atëherë kur klubi fillon të prodhojë diçka dhe t’iu ofrojë tifozëve diçka. Këtu ku jemi ne, ishte e rëndësishme për ne që të jemi korrekt, dhe e dyta të krijonim ndjesinë e përfaqësimit edhe të publikut, por edhe tonën si institucionit. Klubi duhet të dalë sa më mirë për njerëzit që duan klubin”, ka thënë Dajaku për lajmi.net.
Tutje, Dajaku premtoi se klubi i Drenicës nuk do të ndalet me kaq dhe do të synojë të tjera risi sa i përket komunikimit të tyre me publikun, gjithnjë duke ndjekur shembullin e klubeve më të zhvilluara të botës së futbollit.
“Skenderaj është qytet i vogël, por ne nuk duhet të kemi kompleksin që nuk mund të bëjmë gjëra të mira dhe si duhet. Realisht kjo është baza e formës se si sot menaxhohen klubet në secilin vend të botës. Ne nuk e kemi zbuluar futbollin, dhe detyrimisht i bie që ne duhet të kopjojmë dhe t’iu ngjasojmë klubeve që kanë treguar formën se si duhet dukur një klub normal. Janë hapat e parë, por besoj që gradualisht do të shtojmë gjëra të reja në aspektin e marrëdhënieve me publikun”, shtoi zyrtari i skuadrës së Drenicës.
Tifozi si Supermen: Tri ndeshje në orar të njëjtë
Mund të thuhet se ka një medium që mbulon (transmeton) deklaratat e trajnerëve dhe ‘ankesa’ nuk qëndron, por më pas hapet një problem i ri. Skuadrat kosovare, Federata e Futbollit e Kosovës dhe ofruesi i shërbimeve audio-vizive me të drejtat ekskluzive për të transmetuar futbollin vendor; të tria kalkulojnë në llojin e audiencës që interesohet vet për ngjarjet sportive në vend. Por, të tria kalkulojnë gabim, sepse të tria e shohin këtë tifoz si një Supermen. Ndoshta edhe është i tillë nëse shohim përkushtimin e tij për të parë lloj-lloj ndeshje, me lloj-lloj cilësie. Por, jashtëzakonisht e vështirë të përcillen tri ndeshje në një orar të njëjtë – nëse përcjellja e ndeshjes nënkupton edhe një mundësi për të analizuar pak nga paraqitja e skuadrave.
Në secilin rast kur në orar ka tri ndeshje brenda një dite, dy prej tyre luhen me fillim nga ora 13:00 dhe një me fillim nga ora 13:30. Tani, ky orar verifikohet nga FFK, por është gjithnjë në koordinim me ofruesin e shërbimeve audio-vizive që ka të drejtat ekskluzive për transmetim të ndeshjeve. Ose, kështu duhet të jetë. Duke pasur parasysh shumë shembuj të tjerë, secili i kundërt me Superligën (Bundesliga, Premier League, Serie A etj), lajmi.net ka dërguar pyetje në drejtim të FFK për orarin e ndeshjeve, por nuk ka marrë një përgjigje se pse tri ndeshje luhen në orar të njëjtë dhe nuk shpërndahen në tri orare të ndryshme të paradites. Për këtë problem, lajmi.net ka marrë edhe mendimin e një tifozi kosovar të futbollit.
“Për mua si tifoz, si gjëja më problematike qëndron orari. Në Kosovë ka thuajse në numër të barabartë tifozë të skuadrave pjesëmarrëse. Kështu që, ai që shikon një ndeshje të Superligës, besoj që dëshiron t’i shikojë edhe tjerat, sepse si parim nuk selekton skuadrën por futbollin vendor. Për shembull, kur janë tri ndeshje në një orar, kjo bëhet e pamundur. Infrastruktura qëndron gjithashtu si problem, por edhe klubet qëndrojnë shumë larg me tifozët. Kjo duhet të ndryshojë”, ka thënë V.E.
Nëse tele-shikueshmëria ose prezenca në stadiume nuk është primare dhe konsiderohet se orari nuk duhet të ndryshohet për këtë çështje – atëherë vjen në shprehje edhe një problem tjetër. Mbulimi nga mediat tjera. Futbolli avancohet shumë edhe përmes mediave dhe Anglia është një shembull për këtë.
Tri ndeshje në një orar të vetëm mund t’iu japin mediave tjera hapësirë për raporte mekanike të rezultateve, por assesi hapësirë për të mbuluar deklaratat e pas-ndeshjes prej trajnerëve e lojtarëve. Dhe nëse mediat – që rrjetin e shtrirjes apo selitë i kanë kryesisht në Prishtinë – nuk arrijnë të mbulojnë pikat kyçe si formacionet, deklaratat dhe fotografitë nga ndeshjet, rezultati mund edhe të mos jetë më atraktivi i mundshëm për të tërhequr vëmendjen e audiencës.
FFK nuk e ka fajin kryesor, por nuk është shembulli më i mirë i mundshëm.
Federata e Futbollit e Kosovës ndër vite nuk ka qenë shembulli më i mirë i mundshëm për t’u ndjekur lidhur me Marrëdhëniet me Publikun. Shtëpia më e madhe e futbollit në vend ka dështuar në aspektin elementar të marrëdhënies me publikun – në shitjen e biletave. Një gjë e tillë ndodhi edhe dje. Kur ishte njoftuar se shitja e biletave do të bëhet ‘online’, përmes tiks.app, FFK me kompaninë e kontraktuar dështuan, dhe shtynë shitjen e biletave për një ditë.
Biletat tani do të shiten nëpër pikat e kompanisë ‘Art Motion’, në mënyrë fizike, duke filluar sot nga ora 18:00. Rastet janë të shumta kur Federata e Futbollit e Kosovës ka dështuar të sigurojë një mënyrë ‘dinjitoze’ për tifozin që të sigurojë bileta. Nëse nuk mund të sigurohet një mbarëvajtje në shitje të biletave, shkallët tjera të marrëdhënies me publikun mund të konsiderohen si ambicie e madhe. Gjithsesi, në gjithë këtë mes, vlen të thuhet se FFK qëndron më mirë sesa klubet në aspektin e komunikatave dhe njoftimeve lidhur me aktualitetet në futbollin vendorë.