Historiani Oliver Jens Schmitt e ka vlerësuar Kosovën si vendin me me demokracinë më funksionale në rajon, me media dhe shoqëri të lirë.
Këtë vlerësim ai e ka bërë të martën, në takim me kryeministrin Albin Kurti.
Sipas historianit, Bashkimi Evropian duhet ta vlerësojë këtë progres të Kosovës.
“Në ditën e njëvjetorit të votimit të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Kurti e njoftoi z. Shmitt për të arriturat, përmbushjen e programit qeveritar dhe sfidat për të ardhmen”, thuhet në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit.
“Gjendja me pandeminë është vënë nën kontroll dhe situata është përmirësuar dukshëm, ndërsa është shënuar rritje ekonomike dhe rezultate të mira në luftën kundër krimit e korrupsionit, tha kryeministri Kurti”.
Në takim bëhet e ditur se ndër të tjera është diskutuar për invazionin dhe agresionin rus në Ukrainë dhe ndikimin që mund të ketë në Evropë e posaçërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Oliver Jens Schmitt është profesor i historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës dhe studiues i albanologjisë. Ai është anëtar i rregullt i Akademisë Austriake të Shkencave dhe anëtar nderi i Akademisë së Kosovës.
Ka shkruar disa libra me analiza për historinë dhe figurat shqiptare: “Historia e shqiptarëve”, “Skënderbeu”, “Shqiptarët, një histori midis Lindjes dhe Perëndimit”, “Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, “Arbëria Venedike” etj.