Vuçiq thërret mbledhje urgjente – pritet të diskutohet për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka caktuar seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për nesër në orën 12.

Nga Presidenca kanë konfirmuar për mediat serbe se në këtë seancë pritet të diskutohen temat më të rëndësishme aktuale.

Ndër to, bëhet e ditur se është edhe “refuzimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë”.

Temë tjetër që pritet të diskutohet është për kërcënimet për sanksione ndaj Serbisë pas mossreshtimit të kësaj të fundit me sanksionet perëndimore vendosur Rusisë.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të 3 prillit, ka deklaruar se qeveria që ai drejton synon që të drejtat e serbëve të mos shkelen, por në të njëjtën kohë edhe të mos cenohet shtetësia e Kosovës.

“Konsiderojmë që në njërën anë, nuk duhet t’iu pamundësojmë serbëve në Kosovë, që e kanë përveçse nënshtetësinë e Kosovës edhe atë të Serbisë, ta kenë të drejtën e votës, mirëpo në anën tjetër, kushtetutshmëria, ligji në Kosovë, rezoluta e fundit e Kuvendit e 15 janarit, neve na e obligojnë bazën e çfarëdo zgjidhjeje që do të marrim në të ardhmen”, është shprehur Kurti ditë më parë, në një konferencë të mbajtur për media.