Pezullohet greva në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka njoftuar se është pezulluar greva në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë e vendit.

Sipas njoftimit, vendimi është marrë pas takimit të KGJK-së të mbajtur sot së bashku me Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Sindikatën e Pavarur të Juridikaturës.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës mbetet pas qëndrimeve të shprehura publikisht përmes komunikatave zyrtare dhe shkresave të adresuara tek institucionet kompetente, se mbështet kërkesat legjitime të punonjësve të administratës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ndryshe, më 1 mars fillimisht kishte nisur grevën stafi administrativ i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku në konferencën për medie të mbajtur po atë ditë nga Naim Rrustemi, kryetar i Shoqatës Sindikale të gjykatës në fjalë, u tha se greva nuk ka të bëjë me çështje politike dhe se do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“Kërkesat tona janë: Aprovimi i Ligjit për punëtorët e Administratave të Gjykatave dhe Prokurorive duke u bazuar në Projektligjin për Plotësim dhe Ndryshim të Ligjit për Zyrtar Publik; Përafrimi i pagave të punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve; Pagesa lineare nga 150 euro për çdo punëtor të administratës së gjykatave dhe prokurorive deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga; Pagesa e shujtës ditore prej 3 euro dhe pagesa e udhëtimit prej 3 euro”, ka thënë Rrustemi.

Pas Gjykatës Themelore në Prishtinë, grevën e nisi edhe administrata e Gjykatës së Apelit dhe i gjithë stafi i administratës në Pallatin e Drejtësisë.