Ukraina: Putini ndalet vetëm me forcë, NATO nuk e ka këtë forcë

Vijojnë bisedimet për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë. Këshilltari i presidentit të Ukrainës, Mikhail Podolyak, beson se negociatat po shkojnë mirë dhe se po kërkohet formula e duhur për t’i dhënë fund konfliktit. Ai sinjalizoi se Kievi ka hequr përfundimisht dorë nga aspirata për t’u anëtarësuar në NATO.

“Ne e dimë se Putini mund të ndalet vetëm me forcë. NATO sot nuk e ka këtë forcë”, u shpreh Podolyak në një intervistë për një media polake. Ai shton se veprimtaria e aleancës ushtarake “kufizohet në mbajtjen e samiteve në të cilat gjeneralët bëjnë si të ashpër”.

Negociatori i Ukrainës tha se pas neutralitetit, do të vlerësohet me maturi situata në Krimenë e Pushtuar nga Rusia dhe në rajonet Donjeck e Luhansk. “De jure ato mbeten pjesë e Ukrainës, por ne de fakto nuk i kontrollojmë, pasi administrata ruse punon atje. Një nga pyetjet kryesore mbetet se si të menaxhohen këto territore”, u shpreh ai. Gjithashtu shpjegoi se nuk mund të japë shumë detaje pasi do prishte procesin e negociatave dhe nënvizoi se Moska kishte shumë kërkesa fillimisht, por tani shumica e tyre nuk po shqyrtohen. Por Rusia pretendon se nuk ka hequr dorë nga asnjë prej kushteve të saj.