Publikon një pjesë të këngës “I ndaluar”, Vesa Luma: Krenare që isha e vetmja që ndava me botën shqiptare përkrahjen ndaj komunitetit LGBTQ+

Projektkodi Civil që rregullon bashkëjetesën mes personave të gjinisë së njëjtë nuk ka kaluar ditën e djeshme (e mërkurë) në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.

Në momentin e votimit në Kuvend ishin 77 deputetë, teksa 16 prej tyre nuk morën pjesë në votim.

Sa i përket kësaj, 29 ishin kundër, 28 për dhe katër deputetë kanë abstenuar.

Vesa Luma (Foto: Instagram)

Duke qenë se këto ditë ishte një temë diskutimi gjithandej në rrjetet sociale, një reagim e ka bërë edhe këngëtarja Vesa Luma.

Ajo ka publikuar një pjesë të këngës së saj “I ndaluar” në InstaStory, nëpërmjet të cilës thotë se ishte ndër të vetmet që e ka ndarë me botën shqiptare përkrahjen ndaj komunitetit LGBTQ+.

I cilësuar si projekt që ka thyer tabutë, Luma shtoi: “Çfarë t’i bëjmë deputetëve tanë. Përndryshe shumë krenare që kisha guximin (e mbase isha e vetmja) që ta ndajë me botën shqiptare përkrahjen ndaj komunitetit LGBTQ+”.

Kënga në fjalë ishte punuar nga partneri i saj, artisti Big Basta dhe trajtonte temën e një dashurie të ndaluar, pavarësisht gjinisë.

 

Në anën tjetër, kundër Projektkodit Civil doli hapur reperi Gold AG, i cili njihet edhe si një praktikues i madh i fesë islame.