Aktori,producenti dhe ish-guvernatori i Kalifornisë, Arnold Schwarzenegger, i është lutur presidentit rus, Vladimir Putin, që ta ndalojë këtë luftë që ka nisur midis Rusisë dhe Ukrainës.
Në një video të gjatë nëntë minutëshe të postuar në llogarinë e tij në Twitter, aktori ka përshkruar historinë e tij me Rusinë, pikëpamjet mbi konfliktin dhe për nevojën që të ndalet pushtimi rus.
Në fund të videos, ai iu drejtua presidentit rus me fjalët: “President Putin, ju e nisët këtë luftë. Ju jeni duke e udhëhequr këtë luftë dhe ju mund ta ndaloni këtë luftë”.
Schwarzenegger, i cili ishte ndër të parët që bëri një film në Moskë me “Red Heat” në 1988, shprehu admirim për ata që protestonin kundër luftës në Rusi.
Aktori i “Commando” tha: “Bota e ka parë trimërinë tuaj. Ne e dimë se ju keni vuajtur pasojat e guximit tuaj. Jeni arrestuar. Ju jeni burgosur. Dhe ju jeni rrahur. Ju jeni heronjtë e mi të rinj”.
74-vjeçari gjithashtu deklaroi se një pjesë e qëllimit të xhirimit të videos ishte përpjekja për t’i bërë ushtarët rusë më të vetëdijshëm për rrethanat rreth konfliktit.
Ai foli edhe për paragjykimet e babait të tij ndaj Rusisë për shkak të përvojave të tij gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Babai i Schwarzenegger, Gustav, ishte nazist dhe shërbeu në luftë derisa u plagos gjatë pushtimit të Rusisë në 1942.
Në video, i njëjti thotë se i ka kaluar paragjykimet anti-ruse të babait të tij, sepse kombësia e një personi nuk është e rëndësishme për të.