Tash e disa ditë web-faqet e të gjitha Ambasadave dhe Konsullatave të Republikës së Kosovës janë jashtë funksionit. Kësisoj, qytetarët që jetojnë jashtë Kosove nuk janë duke mundur të marrin asnjë nga shërbimet që ofrohen në këto misione diplomatike.
Për këtë problem që është shfaqur në web faqet e ambasadave dhe Konsullatave të Kosovës, nuk ka pasur asnjë njoftim nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Telegrafi, ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme lidhur me këtë çështje, por që deri këto momente nuk ka pranuar asnjë përgjigje.
Po ashtu për shkak të sistemit është raportuar për pritje të gjata para ambasadave.
Për këtë ka reaguar eksperti i sigurisë kibernetike, Bajram Zeqiri.
Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se llogaria ku janë ‘hostuar’ uebfaqet e ambasadave janë suspenduar.
“Për atë arsye edhe mesazhi me HTTP Error 400 del që kërkesa jonë nga browseri nuk arrin në destinacion”.
“Jo vetëm domain ambasada-ks[.]net është në të njëjtën hapësirë, por edhe disa domain të tjerë si: konsullata-ks[.]net, embassy-ks[.]net, consulate-ks[.net”, ka sqaruar Zeqiri.
Ndryshe, qytetarët në misione diplomatike kanë mundur të marrin shërbime të ndryshme duke përfshirë këtu aplikimin për dokumentet personale ( Letërnjoftim dhe Pasaportë), verifikimin e patentë shoferëve, aplikimi për humbjen apo fitimin e shtetësisë së Kosovës, e shërbime tjera më rëndësi.