Publikon të dhëna nga bursa, Rama: Çmimi i naftës u rrit me nisjen e luftës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar sot të dhëna nga bursa për të ilustruar se rritja e menjëhershme e çmimit të naftës përkon me nisjen e luftës në Ukrainë.

Në një njoftim në Facebook, Rama ka lënë të kuptohet që është e pavend të bëhet pyetja nëse ka apo nuk ka lidhje lufta me rritjen e çmimit të naftës.

“A ka apo s’ka lidhje lufta me kërcimin e çmimit të naftës në tërë botën, kjo është një pyetje që mund ta bëjë vetëm kush bie pre e zhurmës së daulleve të dizinformimit e të çoroditjes së publikut, nga ata që dihet e shihet se kush janë”, ka thënë Rama.

Duke sqaruar të dhënat e grafikut të naftës së Teksasit Perëndimor (WTI), Rama tha se “ky grafik i nxjerrë sot nga një prej burimeve më serioze të informacionit për çmimet e naftës në botë, e tregon kokëfortësisht se kërcimi i panatyrshëm i çmimit, që kishte nisur të rritej pak nga pak paralelisht me thellimin e krizës energjetike, përkon përpikmërisht me nisjen e luftës.”

“Mospranimi i fakteve të realitetit dhe fabrikimi i një realiteti konfliktual, me sajesa, shpifje, sharje, akuza, analiza të rreme, me qëllim shfrytëzimin e një tronditjeje që shkaktohet nga një fatkeqësi natyrore e pashmangshme, nuk ndodh për herë të parë në Shqipëri,” ka thënë Kryeministri.

“Por këtë herë – kur një popull i tërë europian po martirizohet nga një agresion ushtarak dhe kur bota flet deri edhe për rrezikun e paimagjinueshëm të Luftës së Tretë Botërore – kjo shfaqje dhune verbale, për të nxitur urrejtje, përçarje, destabilizim, përmes shpifjesh, akuzash, sharjesh, mallkimesh, ishte fare fare e tepërt!”, ka theksuar Rama.