Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës në Shtërpce, vazhdon aksioni “Brezovica”

Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës kanë zbarkuar sot në Shtërpce.

Policia në bashkëpunim me prokurorinë janë duke realizuar një operacion policor pikërisht në këtë komunë.

Operacioni në fjalë është vazhdim i aksionit të njohur si “Brezovica”. Deri më tani sot në Shtërpcë janë bastisur shtatë lokacione.

Nga Prokuroria në Ferizaj kanë konfirmuar aksionin derisa nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me të.

“Referuar pyetjeve tuaja, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ju konfirmon se është duke vazhduar aksioni “Brezovica” i cili është vazhdimësi e aksioneve të mëhershme.”, u tha në përgjigjen e dhënë për lajmi.net.

Në aksionin e parë të njohur si “Brezovica”, në muajin dhjetor të vitit të kaluar, ishin arrestuar 10 persona në mesin e tyre edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.

Aksioni kishte vazhduar edhe në janar të këtij viti me ç’rast kishte rezultuar me arrestimin e shtatë personave, në mesin e tyre kishte edhe ish-zyrtarë të ministrisë.

Më 3 mars, Policia e Kosovës arrestoi edhe shtatë persona të dyshimtë, në mesin e tyre edhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe katër pronarë të kompanive ndërtimore.

Ky aksion po vazhdon të realizohet nën dyshimin për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun kombëtar “Sharri” në zonën e Brezovicës.