Dua Lipa bëhet artistja e vetme femër që ka qëndruar më së shumti në “Billboard Hot 100”

Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa po vazhdon të shënoi suksese të njëpasnjëshme në arenën e muzikës ndërkombëtare.

Në mesin e shumë hiteve që kanë shënuar karrierën e saj të bujshme artistike është edhe kënga “Levitating”, që është pjesë e albumit të saj të fundit “Future Nostalgia”.

26-vjeçarja së fundi ka arritur suksesin e radhës me “Levitating”, e cila është bërë kënga e një artiste femër që ka qëndruar më së shumti në historinë e top-listës së “Billboard Hot 100”.

Projekti muzikor i Duas ka qëndruar gjithsej 70-të javë, duke lënë pas hitin e vitit 1997-1998 të këngëtares amerikane LeAnn Rimes “How Do I Live” që qëndroi për 69 javë në top-listë.

“Levitating” është gjithashtu kënga e pestë që ka qëndruar më së shumti në top-listë në gjithë historinë e kualifikimeve.

Këtij lajmi i është gëzuar interpretuesja duke e shpërndarë njoftimin edhe në llogarinë e saj në Instagram, aty ku numëron mbi 80 milionë ndjekës.

Ndërkohë, Dua aktualisht ndodhet në turneun “Future Nostalgia”, koncertet e të cilit fillimisht kanë nisur në Amerikë, për të vazhduar më pas edhe në pjesët e tjera të botës.