Memli Krasniqi në “Javën e Gruas”: Krenar që PDK po u jep hapësirë grave në pozita vendimmarrëse

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë fjalës së tij në “Javën e Gruas” të organizuar nga Instituti Demokratik Amerikan, ka thënë se ndihet krenar që PDK u ka dhënë grave më së shumti hapësirë në vendimmarrje në skenën politike.

Krasniqi tha se pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, Partia Demokratike e Kosovës për herë të parë ka arritur të vendosë rekord të ri me vendosjen e grave në pozicione vendimmarrëse.

“Këtë e them me krenari, me mburrje që në PDK sot pesë zonja të nderuara përfaqësuese tonat udhëheqin pesë asamble komunale, pesë parlamente lokale në komuna tepër të rëndësishme të Kosovës si Prizreni, Mitrovica, Vushtrria, Gjakova, Skenderaj. Përtej kësaj ne kemi emëruar dy nënkryetare komunash, përfshirë edhe kryeqytetin, gjë që s’ka ndodhur më herët as në Prishtinë, as në Gjilan.”, tha ai.

Lideri i PDK-së tha se duhet ende angazhim që pozita e grave në shoqërinë kosovare të shënojë progres për t’u arritur objektivi i përbashkët i politikëbërësve, por, për aq kohë sa ka një rritje të numrit të grave në vendimmarrje përtej formalitetit të pjesëmarrjes në struktura apo në lista kandiduese, përtej përmbushjes së detyrimeve legale që kanë kuotat, Krasniqi beson që janë në rrugën e duhur.

“Dua të jap shembullin e Partisë Demokratike të Kosovës. Në zgjedhjet e kaluara ne përsëri kemi qenë partia që ka pasur numrin më të madh të grave kandidate për kryetare të komunave, kemi pasur numrin më të madh, por është numër ende i vogël sepse kanë qenë katër kandidate, por megjithatë në komuna dhe qytete të rëndësishme. Përtej kësaj, ne kemi pasur edhe numrin më të madh të grave që kanë udhëhequr listat e asambleve komunale, gjithsej tetë. Po ashtu, kemi pasur përtej kuotës rreth 38 për qind kandidate në listat për asamble.”, theksoi ai.

Krasniqi theksoi se Java e Gruas, është një program që ka pasur impakt të drejtpërdrejtë në fuqizimin dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe PDK është mirënjohëse për angazhimin e NDI në këtë drejtim.