Afër 9 milionë euro, miratohet vendimi për blerjen e ndërtesave të dy ambasadave

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për blerjen e ndërtesave të dy misioneve diplomatike.

Me këtë vendim, MPJD fillon zyrtarisht procesin për blerjen e ndërtesave të ambasadave të Republikës së Kosovës në dy kryeqendra botërore, Washington D.C., SHBA, dhe Londër, Mbretëria e Bashkuar.

Në një komunikatë për media MPJD ka bërë të ditur se bazuar në orientimin strategjik për konsolidimin e prezencës së Republikës së Kosovës në këto kryeqendra dhe në strategjinë gjithëpërfshirëse për reformim, ristrukturim si dhe rritje të nivelit të përfaqësimit të Kosovës përmes shërbimit të Jashtëm, MPJD në këtë vit fiskal, ka ndarë buxhetin prej 8 milionë e 927 mijë e 721 euro (8,927,721. 00 €) për blerjen e ndërtesave të ambasadave.

Blerja e disa ndërtesave të ambasadave të Kosovës nëpër botë, është prioritet i vënë nga ministrja Gërvalla-Schwarz, me qëllim që MPJD-së t’i lehtësohet barra financiare e pagesave të qirave të ambasadave.