Kuvendi i Kosovës ka shpenzuar mbi 8 milionë euro gjatë vitit 2021. Rreth 6 milionë prej tyre kanë qenë në kategorinë për paga dhe shtesa.
Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Financa, tha se për shkak të pandemisë ka pasur më pak aktivitete të legjislativit dhe rrjedhimisht ka pasur më shumë kursime në gjitha kategoritë e shpenzimeve.
Para komisionit, Krasniqi sqaroi edhe formën e kompensimit të shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve. Ai tha se të zgjedhurit e popullit nuk kompensohen për karburante, po për shpenzime të rrugës qoftë me veturë apo taksi.
“Shpenzimet për vitin 2021 për katër programet e lartcekura janë në shumën prej 8 milionë e 83 mijë e 381 euro. Në kategorinë paga dhe shtesa shuma është diku 6 milionë e 805 mijë, ose 99.9 përqind e buxhetit përfundimtar. Kurse, mallra dhe shërbime 773 mijë e 577 euro, ose 89.56 përqind e buxhetit përfundimtar. Shpenzimet komunale 170 mijë e 932 euro, ose 100 përqind e buxhetit përfundimtar. Subvencione dhe transfere 9 mijë 800 euro dhe shpenzimet kapitale 323 mijë euro. Për shkak të pandemisë ka pasur më pak aktivitete dhe si rrjedhojë ka pasur edhe kursime në të gjitha kategoritë e shpenzimeve”, tha ai.
Shqetësime për ngritje të shpenzimeve zyrtare ngriti deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
“Kemi rritje të shpenzimeve zyrtare, krahasuar me vitin 2020. Pse është kjo rritje e shpenzimeve zyrtare në kohë pandemie, kur edhe institucionet e vendit kanë qenë të mbyllura. Apo shpenzimet e udhëtimeve zyrtare, nga 40 mijë euro kanë shkuar në 61 mijë e 258 euro. Po ashtu kemi rritje të shpenzimeve të tjera nga 91 mijë sa kanë qenë vitin 2020, kanë kaluar në 159 mijë”, tha ai.
Mirëpo, sekretari, Krasniqi tha se dallimi ndërmjet viteve është vetëm 7 mijë euro, pavarësisht se në vitin 2021 ka pasur më shumë aktivitete.
Krahas kësaj, ai tha se deputetët nuk marrin pagesë për karburante dhe s’ka asnjë linjë buxhetore për një gjë të tillë.
“Deputetët nuk paguhen për karburante. Paga e deputetit ka siç thamë pesë burime, është paga bazë, pjesa funksionale janë kompensimet e seancës dhe komisione parlamentare, shpenzimet e rrugës dhe shujtat ditore. Të gjitha këto llogariten si një hyrje të deputetit, pra nuk ka zë buxhetor për karburante për buxhet dhe nuk është e qëndrueshme. Deputetët kompensohen për shpenzime të rrugës, qoftë me taksi, qoftë me veturë apo autobus, por nuk ka të bëjë karburant për deputetin” , ka thënë Krasniqi.
Në këtë temë u përfshi edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, i cili kritikoi Kuvendin për mungesë sqarimi me kohë për kompensimin e udhëtimit të deputetëve.
“Më vjen keq që është bërë e gjithë ajo zhurmë për deputetët për me zhvesh deputetin. Nëse është politikë e dikujt se edhe ky institucion të zhvishet komplet dhe mos të ketë një rëndësi të veçantë, votë e qytetarëve, atëherë nuk e di ku do të na çojë kjo. Edhe për medie po e them se më vjen shumë mirë se pas shumë ditëve bëhet sqarimi qysh nuk ka kartela për derivate, nuk llogariten derivatet, por llogaritet shpenzimi. Nisem prej vetes, për 2 muaj 40 takime i kam pasur dhe adresën e përhershme e kam në Gjakovë”, tha ai.
Komisioni as në seancën e sotme nuk gjeti pajtueshmëri për shqyrtimin e kërkesës për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit për funksionin udhëheqës dhe kompensimin e shpenzimeve.
PDK dhe AAK e refuzuan një kërkesë të tillë dhe thanë se paga e deputetit duhet të rregullohet në Ligjin e Pagave dhe jo në këtë formë. Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës kërkuan sqarime shtesë për shifrat e kompensimeve të deputetit dhe për praktikat ndërkombëtare.
Megjithatë, kryetari i Komisionit, Armend Muja, tha se propozimi për vendimmarrje për këtë temë do të jetë në mbledhjen e radhës të komisionit.
Ndërkohë, në rend të ditës ishte edhe raportimi i BQK-së për raportin e progresit për vitin 2021 mirëpo për shkak të agjendës së guvernatorit, Fehmi Mehmeti u vendos që raportimi të ndodh javën e ardhshme.