Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sot për situatën në Ukrainë gjatë një interviste për SkyNews.
Ndër të tjerash, Kurti ka theksuar se edhe rajoni i Ballkanit nuk është imun ndaj situatës në Ukrainë.
“Këtë situatë e kemi parë edhe në Ballkan, në pranverën e vitit 1999. Mbi 860 mijë qytetarë ishin larguar nga Kosova, qindra masakra të ndodhura, mbi 12 mijë civilë të paarmatosur janë vrarë dhe rreth 20 mijë gra janë dhunuar. Tashmë po e shohim agresionin rus në Ukrainë, ku secili lider është duke e dënuar. Jemi në përkrahje të popullit ukrainas për respektim të integritetit territorial”, ka deklaruar Kurti.
Tutje, ai ka përmendur edhe neutralitetin e Serbisë në raport me Rusinë pas situatës në Ukrainë, duke thënë se ky shtet nuk i ka vënë sanksione Federatës Ruse dhe nuk i ka dënuar veprimet e saj në Ukrainë.
“Serbia ka shumë lidhje me Rusinë, si kulturore dhe historike në një anë, ashtu edhe ekonomike e ushtarake”, ka deklaruar ai.