Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u është drejtuar pa përshëndetje eurodeputetëve, të cilët e kanë pritur me duartrokitje. Kjo e sotmja nuk është ditë e mirë, tha ai.
Zelensky po u adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian, përmes një lidhjeje direkte nga Ukraina, ku po qëndron gjatë gjithë kohës, prej se vendi i tij është sulmuar nga forcat ruse.
Presidenti ukrainas fjalimin e tij e nis pa përshëndetje.
“S’mund të them mirëmëngjesi, ose mirëdita, ose mirëmbrëma. Sepse kjo nuk është ditë e mirë. Për disa njerëz, është dita e fundit”, ka thënë Zelensky.
Ai ka thënë se ukrainasit po paguajnë çmim të lartë për liri.
Ukraina po kalon momente të rënda të luftës në këto 24-orët e fundit. Qyteti i dytë më i madh i saj, Kharkivi, që nga ukrainasit konsiderohet si historik, është cak e sulmeve të njëpasnjëshme sot dhe dje. Aty janë vrarë qindra njerëz, përfshirë edhe 70 ushtarë ukrainas.