Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, gjatë vizitës në Kosovë ka dhënë qëndrimin e shtetit të tij sa i përket pushtimit rus të Ukrainës.
Szijjarto tha se detyra e qeverisë së tij është të mbrojë hungarezët, ndërsa shtoi se shteti i tij nuk do të përfshihet në luftën e fqinjëve të saj, që ka nisur tash e pesë ditë, duke treguar se nuk do të dërgojnë as trupa në Ukrainë.
“Detyra e qeverisë hungareze është të sigurojë popullatën hungareze dhe të garantojmë se Hungaria nuk do të përfshihet në luftë të fqinjëve tanë. BE-ja do të ofrojë armë te Ukraina. Hungaria nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë, sepse nuk do të përfshihemi në luftë fare. Aseti më i madh që kemi është paqja”, deklaroi ai gjatë një konference të përbashkët në Prishtinë me kryediplomaten kosovare, Donika Gërvalla.