Kryeministri britanik krahason agresionin e Putinit në Ukrainë me atë të Millosheviqit në Kosovë

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, në një fjalim drejtuar vendit, ka folur rreth sulmit rus në Ukrainë.

Johnson ka krahasuar agresionin e Putinit në Ukrainë me atë të Millosheviqit në Kosovë në vitet 1998/99.

“Nëse do të bëhet ndonjë krahasim ndërmjet Kosovës dhe Ukrainës, ky është i vetmi kontekst që mund të jetë i saktë”, tha kryeministri britanik.

Sa i përket sanksioneve tha se synon ta përjashtojë Rusinë nga tregjet financiare të Britanisë.

“Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve të të gjitha bankave kryesore ruse, përfshirë bankën e dytë më të madhe ruse VTB”, tha ai.

Britania gjithashtu do t’ua ndalojë kompanive ruse dhe qeverisë ruse të ngrenë fonde në tregjet britanike, po ashtu do të bllokojë eksportet drejt Rusisë të një game të gjerë produktesh të teknologjisë së lartë, dhe do të ndalojë uljen e avionëve të kompanisë ruse Aeroflot në aeroportet britanike.

Po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë, pasi kjo e fundit nisi sulm ushtarak ndaj Ukrainës.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, gjatë një adresimi nga Shtëpia e Bardhë më 24 shkurt tha se sanksionet përfshijnë banka ruse të cilat do të hiqen nga sistemi financiar amerikan.

“Kjo nënkupton që çdo aset që ato kanë në SHBA, do të ngrihen”, tha ai.

Biden po ashtu tha se sanksionet e reja përfshijnë edhe eksportet, oligarkët dhe sektorin e teknologjisë.