Bordi i TK-së: Telekomi po paguan faturat e politikës dhe grupeve të interesit nga e kaluara

Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës ka reaguar pas humbjes së rastit kundër kompanisë “Dardafon.net L.L.C” në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Sipas këtij vendimi, Telekomi i Kosovës obligohet të paguajë edhe rreth 13 milionë euro për kompaninë “Dardafon.net L.L.C”.

Në reagimin e Bordit thuhet se Telekomit të Kosovës SHA mbrëmë pas orës 16:00 i erdhi edhe një “faturë” shumëmilionëshe (rreth 13 milionë euro) për të paguar, pas asaj të cilën e kishte pranuar në vitin 2016 për një shumë prej 39 milionë eurosh, e cila e pati tronditur nga themelet kompaninë dikur më të suksesshme në vend.

Në gjendjen e krijuar do të vazhdojmë të angazhohemi që “faturat” e politikës dhe grupeve të interesit jashtë dhe brenda Telekomit të Kosovës SHA të hetohen nga institucionet e rendit dhe ligjit, që nga zanafilla e tyre, duke përmbyllur kështu një epokë kur pjesë të krimit të organizuar dhe të politikës në bashkëveprim po e rrënonin pronën publike dhe në veçanti kompanitë publike, në një përpjekje të përvetësimit të saj/tyre”.

“Këto borxhe (dhe ato ndaj shtetit dhe institucioneve të tjera publike), pasojë e një politike dhe një menaxhimi të kaluar, për të cilat askush deri sot nuk dha përgjegjësi, rrezikojnë të përmbytin përpjekjet e jashtëzakonshme që po bëhen për të rimëkëmbur këtë kompani, e cila ka potencial të jashtëzakonshëm njerëzor. Rimëkëmbja dhe ruajtja e Telekomit të Kosovës me një qasje krejtësisht tjetër ndaj pronës publike, ndaj qytetarit dhe konsumatorit dhe vënia jonë në shërbim të publikut/ konsumatorëve 24/7 është në interesin më të mirë publik dhe njëkohësisht një obligim ligjor, moral e profesional”, thekson në reagim Bordi i Drejtorëve të TK-së.

Ky Bord thotë se kontrata mes Telekomit dhe “Dardafone”-it kishte dyshime për korrupsion dhe e cila “e kishte degraduar Telekomin e Kosovës SHA nga një kompani që dha rreth 900 milionë tatime për buxhetin e shtetit, në një kompani e cila vitin e kaluar mezi shpëtoi nga kthetrat e përmbaruesve”.

“Një strategji e grupeve të interesit, e formësuar në një kontratë publikisht të dyshuar dhe të denoncuar si korruptive, e kishte degraduar Telekomin e Kosovës SHA nga një kompani që dha rreth 900 milionë tatime për buxhetin e shtetit, në një kompani e cila vitin e kaluar mezi shpëtoi nga kthetrat e përmbaruesve. Por Telekomi aktualisht po ndërton një proces të baraspeshuar të pagesës së borxheve dhe një proces paralel të rimëkëmbjes së brendshme financiare, organizative, morale e operative si dhe kthimit të ligjshmërisë në kompani”, thotë më tej Bordi i TK-së.

Sipas Bordit të Drejtorëve të TK-së, “vendimi i Arbitrazhit ICC No. 24841, përkundër faktit pozitiv se konstaton që kontrata me Z-Mobile konsiderohet e përfunduar më 30 korrik 2019 dhe ka refuzuar shumicën e kërkesave të Z-Mobile, megjithatë nuk është në linjë me pritjet e Telekomit të Kosovës SHA dhe sipas vlerësimeve paraprake nuk është as në përputhje me standardet ligjore të aplikueshme”.

“Përpos që nuk sjell drejtësi për sa i përket raportit tashmë të përfunduar kontraktual me Z-Mobile, ku Telekomi ka arritur të dëshmojë humbje të akumuluara qindra milionëshe, i njëjti nuk është në përputhje me parimet kryesore të drejtësisë dhe përgjegjësisë kontraktore. Si i tillë, vendimi është në esencë i parregullt dhe Telekomi i Kosovës SHA do të vazhdojë të ndjekë rrugët ligjore për të sfiduar vendimin. Ekspertët tanë ligjorë janë duke përgatitur argumentet përmes të cilave do të sfidojnë Vendimin e ICC no. 2481 në gjykatat kompetente”, ka përfunduar Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës.

Sipas “Kallxo.com”, vendimi i Arbitrazhit është për rastin e mosvazhdimit të kontratës në mes të Telekomit dhe kompanisë “Dardafon.net L.L.C”, në të cilën Blerim Devolli ka 90 për qind të aksioneve, kurse kompania “K-com Group L.L.C” ka vetëm 10 për qind të aksioneve.

Arbitrazhi e ka obliguar Telekomin e Kosovës të paguajë 10 milionë e 270 mijë euro kompanisë “Dardafon.net L.L.C”. Përveç kësaj, për këtë shumë Telekomi do të paguajë edhe 8 për qind interes që do të llogaritet nga tetori i vitit 2019.

Nga kjo shumë prej 10.2 milionë eurove, 7 milionë e 590 mijë do t’i paguajë në emër të fitimeve të humbura të “Z-Mobile”. Ndërsa Telekomi detyrohet që t’i paguajë edhe 2 milionë e 680 mijë euro në lidhje me dëmet e likuiduara të “Z-Mobile”.

Dispozitivi i vendimit tregon që është hedhur poshtë kundërpadia e Telekomit kundrejt “Z-Mobile”.

Përveç vendimit bazë, Telekomi i Kosovës është i obliguar që t’ia paguajë kompanisë së Blerim Devollit shpenzimet e bëra për arbitrazh në shumën prej 1 milion e 290 mijë e 770 eurove. Telekomi do të paguajë edhe 117 mijë euro për kostot fikse për arbitrazh. Koha për pagesën e 1.4 milion eurove është 30 ditë, ndërsa pas kësaj periudhe Telekomi ngarkohet me një normë të interesit prej 8 për qind.

Të gjitha këto detyrime që Tekokomi duhet t’i paguajë “Z-Mobile” kapin shifrën e 11 milionë e 667 mijë euro.

Në këtë rast, Telekomi i Kosovës është përfaqësuar nga kompania e avokatisë nga Franca “Hogan Lovells” me bazë në Paris, ndërsa kompania “Z-Mobile” është mbrojtur nga kompania e avokatisë “Schonherr Rechtsanwalte” dhe avokati Virtyt Ibrahimaga.