Ylli i muzikës rep, Kanye West, e organizoi një ngjarje speciale dhe një performancë live në parkun “LoanDepot” në Miami, me rastin e lansimit të albumit të ri muzikor, “Donda 2”.
Reperi amerikan tashmë i njohur me emrin Ye, e paralajmëroi performancën speciale në fillim të muajit me postimin e fotografisë së një shtëpie të përfshirë nga flakët, në rrjetet sociale. Ajo ngjasonte me shtëpinë e fëmijërisë së Westit.
Më pas ai i argëtoi fansat për 45 minuta me interpretimin e këngëve të reja të albumit, përfshirë këtu hitin “Flowers” dhe bashkëpunimet e fundit si kënga “Eazy”, e sjell në bashkëpunim me reperin The Game dhe kënga “Diet Coke”, pjesë e së cilës është edhe Pusha T.
Krahas Kanyes për t’i interpretuar këngët e padëgjuara më parë nga publiku u shfaqën edhe treshja e famshme e hip-hopit, “Migos” dhe reperi amerikan, Jack Harlow.
Një tjetër moment i dukshëm ishte kur Ye në prapavijë vuri pjesë nga dialogu i ish-gruas së tij, Kim Kardashian, në emisionin “SNL” në tetor të vitit të kaluar ku ajo e quajti atë, “reperin më të mirë të të gjitha kohërave” dhe “burrin afrikano-amerikan më të pasur në Amerikë”.
Tutje ai i interpretoi edhe disa prej këngëve më të pëlqyera nga publiku të cilat ishin pjesë e albumit të parë “Donda” të tilla si, “Hurricane”, “Off the Grid” dhe “Jail 2”.
Në skenë për të performuar me Kanyen dolën edhe artistët kontrovers, Marilyn Manson, i cili po ballafaqohet me akuza për sulm seksual të cilat i ka mohuar kategorikisht, dhe DaBaby i cili mori kritika të ashpra nga publiku për komente homofobike gjatë interpretimit të tij në një festival muzikor vitin e kaluar.
Fivio Foreign dhe Alicia Keys po ashtu u shfaqën krahas Westit për ta interpretuar bashkëpunimin e tyre të ri, “City of Gods”.
Javën e kaluar, reperi i shndërruar në ikonë të modës e zbuloi lajmin se albumi “Donda 2”, do të jetë në dispozicionin e publikut për t’u dëgjuar përmes pajisjes së krijuar nga ai, “Steam Player”. E lansuar për herë të parë vitin e kaluar krahas albumit të parë “Donda”, kjo pajisje e cila kushton 200 dollarë, u mundëson njerëzve që t’i ripërpunojnë këngët e albumit me anë të efekteve të ndryshme.
West po ashtu e ka bërë të ditur se i ka fituar më shumë se 2.2 milionë dollarë nga shitja e pajisjes “Stem Player”, vetëm 24 orë pasi e ka bërë njoftuar publikun se kjo do të ishte mënyra e vetme për ta dëgjuar albumin e tij të ri.