Gjatë kësaj jave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet ta publikojë dosjen e informimit publik për subjektet politike dhe kandidatët e zgjedhur e cila u takon Zgjedhjeve Lokale 2021.
Kjo dosje përmban regjistrin e donatorëve të secilit subjekt politik, raportet e publikimit financiar të fushatës zgjedhore të subjekteve politike dhe formularët e publikimit financiar për kandidatët që kanë arritur të zgjedhën.
Këto raporte ende nuk janë audituar, prandaj, sipas KQZ-së publikimi i këtyre të dhënave do të shoqërohet me tekstin se “raportet financiare të fushatës janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit”.
Anëtarët e KQZ-së mbështetën publikimin e kësaj dosjeje, duke thënë se i shërben transparencës dhe praktikës që po ndjek institucioni për disa vite me radhë.
Në vazhdim të mbledhjes, anëtarët e KQZ-së u njoftuar lidhur me mospagesat për një numër të stafit (më shumë se 500 persona) të cilët kanë qenë të angazhuar në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale 2021.
Sipas KQZ-së, këto raste janë paraqitur për shkak të gabimeve në numrat e llogarive dhe rastet e tilla nuk kanë mundur të procesohen nga bankat komerciale për shkak të gabimeve në numrat e llogarive. Dokumentacioni i saktë dhe i nevojshëm është kompletuar dhe aktualisht, Sekretariati i KQZ-së është duke identifikuar linjat buxhetorë nga të cilat do të merren mjetet për t’i realizuar këto pagesa.