MPJD: Kosova qëndron me Ukrainën kundër agresionit të Rusisë, bota duhet ti përgjigjet Putin-it

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka reaguar lidhur me zhvillimet në Ukrainë si dhe pasi Rusia mbrëmë vonë nisi të fusë forcat e saja në Donetsk dhe Luhansk, dy rajone në lindje të Ukrainës, të cilat paraprakisht presidenti rus, Vladimir Putin i njohur si të pavarura.

MPJD ka deklaruar se Kosova qëndron me Ukrainën, ndërsa thekson se bota duhet t’i përgjigjet Putinit me vendosmëri.

“Kosova qëndron me Ukrainën kundër agresionit të drejtpërdrejtë të Rusisë. Putini po bën edhe një herë luftë kundër një demokracie paqësore. Ai ka bërë luftëra hibride kundër demokracive në gjithë Evropën për shumë vjet. Bota e lirë duhet t’i përgjigjet me vendosmëri Putinit dhe përfaqësuesve të tij”, thuhet në reagim.

Ndryshe veprimi i fundit i Rusisë ka nxitur reagime në mbarë botën. Edhe Shqipëria qe ndër vendet e para që ka reaguar mbrëmë pas situatës së krijuar si kurrë më parë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka parë përgatitje për një operacion të mundshëm zgjerimi nga ana e Rusisë, duke përfshirë ngarkimin e anijeve amfibe dhe pajisje ngarkimi për njësitë ajrore.
Një dekret i nënshkruar nga Vladimir Putin të hënë, me të cilin u njohën dy rajonet separtiste pro-Moskës në Ukrainë, urdhëroi forcat ushtarake ruse të hynin atje.

SHBA-ja pret që trupat ruse të mund të lëvizin shpejt në Donbas për të ashtuquajturin mision “paqeruajtës”, ndërsa janë paralajmëruar sansione në një koordinim fillestar të Amerikës me Gjermaninë dhe Francën.