Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, me ç’rast e ka falënderuar për bashkëpunimin gjatë shërbimit si ambasadore në Kosovë.
Duke i dëshiruar suksese në angazhimet e radhës, Konjufca është shprehur mirënjohës për kontributin e ambasadores Stjernvall në shumë fusha e projekte konkrete dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Finlandës. Ai po ashtu ka theksuar përkrahjen e çmuar të Finlandës në proceset e shtet ndërtimit demokratik të Kosovës dhe fuqizimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar.
Ndërsa, ambasadorja Stjernvall ka vlerësuar marrëdhëniet e mira ndërmjet Finlandës dhe Kosovës, duke konfirmuar njëherësh avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në të mirë të dy popujve dhe vendeve.