Konjufca pret në takim lamtumirës ambasadoren finlandeze, Pia Stjernvall

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kanë pritur në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall.

Ambasadorja shoqërohej edhe nga i ngarkuari me punë, Johan Schalin, me ç’rast e ka falënderuar për bashkëpunimin gjatë shërbimit si ambasadore në vendin tonë.

Konjufca i ka dëshiruar suksese në angazhimet e radhës dhe ka shprehur mirënjohjen për kontributin e ambasadores, i dhënë në shumë fusha e projekte konkrete dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Finlandës.

“Ai po ashtu ka theksuar përkrahjen e çmuar të Finlandës në proceset e shtetndërtimit demokratik të Kosovës dhe fuqizimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, ambasadorja Stjernvall ka vlerësuar marrëdhëniet e mira ndërmjet Finlandës dhe Kosovës dhe ka konfirmuar avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në të mirë të dy popujve dhe vendeve tona mike.