Partitë opozitare kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për siç thonë ata mosqartësinë në procesin e dialogut. Partitë në opozitë, thonë për Ekonomia Online, se pala kosovare me idetë e saj nuk do të prodhojë marrëveshje përfundimtare e as njohje reciproke.
PDK, LDK e AAK, thonë se shefi i Qeverisë ka instaluar një praktikë të dëmshme dhe nuk ka qenë transparent në raport me kuvendin edhe për takimet që janë mbajtur.
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria edhe në këtë proces është e papërgatitur dhe ka transparencë zero sa i përket dialogut.
“Gjatë mandatit të kësaj qeverie mendoj që kemi pasur mungesë të qartësisë sa i përket qasjes në dialog. Unë e kam të qartë që dinamika e procesit të dialogut nuk përcaktohet vetëm nga pala kosovare por edhe nga partner tanë ndërkombëtar. Ajo çka kërkohet nga Kosova është që të paraqitet gjithmonë në tryezë të dialogut me koncept të qartë se çfarë po dialogohet. Besoj që në dy tri vjetët e fundit në Kosovë është ndërtuar një konsensus s ai përket dialogut se dialogu zhvillohet vetëm për marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve dhe një listë e parimeve që duhet ti përmbahet ky proces”, ka thënë Hoti.
“Nuk diskutohet për integritetin territorial as për rendin kushtetues të vendit dhe këto parime në qeverisjen time kanë pasur mbështetjen edhe të miqve tanë ndërkombëtar. Gjatë kësaj qeverisje kam përshtypjen që ka dalë nga binarët procesi i dialogut me disa ide të propozuara nga pala kosovare që nuk janë pragmatike dhe nuk qojnë në marrëveshjen përfundimtare dhe nuk është duke u diskutuar fare dhe ka transparencë zero. Edhe në këtë fushë janë totalisht të papërgatitur”, shtoi Hoti .
Ndërsa deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri thotë se kryeministri Kurti ka instaluar një praktikë të dëmshme dhe nuk ka qenë transparent në raport me kuvendin edhe për takimet që ka mbajtur. Thotë se roli i kuvendit në dialog është zero.
“Në të kaluarën kuvendi është informuar nga kryeministri për raundet e bisedimeve që kanë ndodhur. Kryeministri Kurti ka instaluar një praktikë kogja të dëmshme dhe nuk ka qenë transparent në raport me kuvendin edhe për takimet që ka mbajtur. Ne kemi kërkuar të raportohet në kuvend për çfarëdo takimi që do të mbahet në Bruksel. Edhe ato raportime janë bërë me kërkesë të deputetëve të opozitës dhe jo m iniciativën e tij që e obligon një rezolutë. Prandaj roli i kuvendit në dialog është zero”, tha Tahiri.
E shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri potencoi se si grup parlamentar do ta mbikëqyrin qeverinë që të mos bëhet gabime e që sipas tij mund t’i kushtojë Kosovës.
“Ne e mbikëqyrim qeverinë. Kushtetuta e përcakton që qeveria e ka rolin e vet. Ne si grup parlamentar do ta mbikëqyrim që të mos lejojmë ndonjë gabim i cili i kushton Kosovës”, tha Tahiri.