Ukraina ka investuar prej kohësh tek dronët ushtarakë, përfshirë ata nga Turqia, e në mesin e tensioneve me Rusinë, forcat speciale të Kievit paraqitën dronët e tyre luftarakë Punisher, të cilët përshkruhen si “praktikisht të padiktueshëm”.
Një numër i madh pajisjesh të tilla presin momentin e mësymjes ruse. Ata mund të fluturojnë në heshtje deri në 48 kilometra dhe të lëshojnë me precision të lartë maksimumi tre bomba, që do t`i fshinin automjetet dhe trupat e shënjestruara.
Një dron i vogël, i quajtur Spectre, dërgohet në fillim për të identifikuar objektivit përpara se Punisher, apo “Ndëshkuesit”, të nisen për shfarosje.
Bombat lëshohen automatikisht në momentin që dronët zënë pozicion dhe shpërthimi është i menjëhershëm, duke përfshirë gjithçka rrotull në një lëmsh zjarri.
Kamerat në bord regjistrojnë gjithçka, në mënyrë që të kontrollohet saktësia e misionit.
Ukraina, e përgatitur për një sulm të fqinjit të saj më të madh nga momenti në moment, nuk është anëtare e NATO-s, por ajo ka qenë “vend partner” i saj qysh më 2008 – vitin kur ka aplikuar për Planin e Veprimit për Anëtarësim.
Kjo do të thotë se asaj mund t’i lejohet anëtarësimi në aleancë në të ardhmen. Rusia kërkon garanci nga fuqitë perëndimore se kjo nuk do të ndodhë kurrë.