Sot u bë inaugurimi i obeliskut tek hyrja kryesore e QKUK-së në Prishtinë, në nderim të sakrificës dhe kontributit të punëtorëve mjekësorë ndër dekada.
I pranishëm aty ishte edhe ministri i shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili deklaroi se sot përkujtojnë gjithë personelin shëndetësor dhe atë mbështetës, të cilët humbën jetën gjatë përpjekjeve titanike për të shpëtuar jetë gjatë pandemisë COVID-19 dhe të gjithë mantelbardhët që i kanë dalë në ndihmë popullit tonë edhe gjatë kohës së luftës.
“Ky monument i ngritur për ta është një shenjë e vogël respekti nga ne të gjallët”, tha ai.
Ndërkaq në fjalimin e tij para mediave, kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, deklaroi se datën 16 shkurt e kanë shpallur ditë përkujtimore për punëtorët shëndetësorë.
“Tani e tutje ky projekt do të kujtohet nga të gjithë ne si pikë ku do t’i kujtojmë vuajtjet, sakrificat, gjakun e derdhur dhe djersën e lotit shumë shpesh nga ana e punëtorëve shëndetësorë”.
Në fund u bë edhe zbulimi i pllakës përkujtimore.