Zv/ministri i Arsimit: Plani Strategjik do të ndikojë në ngritjen e cilësisë në arsim

Drafti i Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë 2022-2026 pritet të përfundojë në muajin prill të këtij viti.

Ministria e Arsimit, ka theksuar se ky plan është gjithëpërfshirës, ndërsa janë pesë fusha që janë caktuar si orientime kryesore në programin e Qeverisë për intervenim dhe zhvillim në sektorin e arsimit.

Drafti i Planit Strategjik të Arsimit 2022-2026 është bazuar në pesë fusha, sikur edhe në shumë dokumente, ligje, strategji e hulumtime të tjera vendore dhe ndërkombëtare.

Planifikohet që ky dokument të finalizohet deri në muajin prill të këtij viti. Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, foli për fushat kryesore që përfshihen në këtë dokument.

Zëvendësministri Pupovci, tha për televizionin publik se ky plan do të ndikojë në ngritjen e cilësisë në arsim, nëse ai zbatohet.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, nga Instituti “Edguard”, tha se Suksesi i Planit Strategjik do të varet nga përkushtimi institucional për zbatueshmërinë e tij.

“Përfshirja e një numri të madh të hisedarëve në proces të zhvillimit të planit strategjik, besoj që do të sjellë një draft dokument që i përgjigjet problemeve të sektorit. Mirëpo, duhet të rikujtomë që suksesi i PSAK është në përkushtimin institucional në zbatimin e tij, pra, objektivat në dokument kanë kuptim vetëm kur mirë delegohen, duhet të dimë adresën e saktë të zbatuesve”, tha ai.

Hartimin e Planit Strategjik të Arsimit 2022-2026, e ka mbështetur GIZ-i gjerman përmes ekspertëve, ndërsa për secilën fushë janë formuar grupet e punës, ku përveç zyrtarëve të Ministrisë, janë të përfaqësuar edhe komuniteti akademik, shoqëria civile, sindikatat dhe mësimdhënësit.