Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri ka thënë se, bazuar në informacione ende të pakonfirmuara, shumë zyrtarë policorë kanë aplikuar për viza dhe janë në pritje për t’u larguar nga vendi. Në komisionin parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Zeqiri ka thënë se 1108 zyrtarë policorë janë larguar vullnetarisht nga ky institucion që prej themelimit të tij. Aty ai ka folur për sfidat e policëve dhe nevojën që të njëjtit të marrin trajtim dinjitoz nga shteti
Kryetari i sindikatës ka thënë se ka indikacione që të vazhdojë largimi i pjesëtarëve nga institucioni i Policisë së Kosovës.
“Është shqetësuese puna e policëve që kanë lëshuar punën dhe ka indikacione që do të vazhdojë kjo dukuri për shkak se, sigurisht ata e kanë arsyen, për shkak se po gjejnë më mirë, unë nuk e di, nuk e kam ndonjë statistikë mirëpo informacionet të pakonfirmuara që ka shumë zyrtarë policorë që janë duke pritur viza kanë aplikuar për viza dhe janë duke pritur viza. Vërtet është shqetësuese për shkak se dëmi është i madh dhe nëse mendojmë të ndërtojmë një polici taman për me e siguru këtë vend ashtu siç jemi duke e mbajtur dhe duke e siguruar, atëherë vërtet duhet të mendojmë në këtë drejtim jashtëzakonisht shumë”, ka thënë Zeqiri.
Ndërsa ka shtuar që janë 1108 zyrtarë policorë që në mënyrë vullnetare janë larguar nga ky institucion që prej themelimit të tij, e sipas tij kjo është bërë për shkak se të njëjtit kanë qenë në kërkim të kushteve më të mira.
Zeqiri ka folur edhe për projektligjin për paga për çka ka thënë se është i papranueshëm nga Sindikata e Policisë së Kosovës.
“Për Sindikatën e Policisë së Kosovës ky projektligj që në start është i papranueshëm për shkak se nuk kemi çmim të koeficientit, vlera e koeficientit është e pacaktuar, për neve është e panjohur, nuk ka dalë zyrtarisht dikush me na thënë kaq është vlera, padtaj është e papranueshme rangimi i koeficienteve në Policinë e Kosovës në krahasim me institucionet e tjera… Një prokuror në krahasim me këtë polic i merr pesë paga, pesë paga të këtij polici, nëse nuk e dini aktualisht paga e policit është 392 euro”, ka thënë ai.
Shqetësim tjetër sipas tij është mungesa e sigurimeve shëndetësore.
“Neve si sindikatë kemi kontaktuar edhe me Byronë Kosovare të Sigurimeve dhe mund ta bëjmë një sigurim shëndetësor derisa të bëhet ligji për mos me na mbet zyrtarët policorë pa sigurim shëndetësor. Ne e kemi bërë një kalkulim dhe po e them haptazi diku me 5 milionë në vitin e mund të bëjmë një sigurim shëndetësor për Policinë e Kosovës, është kërkesë e jona, do të jetë kërkesë në vazhdimësi dhe kjo është nëse qeveria ka vullnet me na dhënë përgjigje në këtë çështje”, ka thënë Zeqiri.
Ndër të tjera, Zeqiri ka thënë se nuk janë të ndikuar politikisht dhe se asnjëherë nuk kanë pasur presion nga pushteti apo ndonjë parti tjetër politike.
Ndërsa ish-drejtori i Policisë së Kosovës, deputeti Rashit Qalaj ka thënë se ministri i Brendshëm po shihet edhe në zyra të hetuesisë dhe dhoma komanduese, që sipas tij është brengosëse.
“Ministri shkon nëpër zyra të hetuesve, nëpër dhoma komanduese, që nuk ka qenë praktikë kurrë deri më sot në asnjë qeveri, kurrë hiç, është duke më brengosur, ndoshta vjen ndonjë ministër ende më i keq në të ardhmen por, policia duhet me qenë sa më e pavarur se tendenca ka pasur gjithmonë edhe në pushtetet e kaluara por tash për mua unë po e shoh që është kulmi kur një ministër e ke në të gjitha zyrat e Policisë, e që besoj që nuk është mirë”, ka thënë Qalaj.
Lidhur me këtë, Zeqiri ka thënë se nuk ka njohuri nëse një gjë e tillë ka ndodhur.
Për ministrin e Brendshëm, Xhelal Svecla, ka folur edhe kryetari i komisionit, Bekë Berisha, i cili ka thënë se po bëhet propagandë gjoja se ministri është duke e luftuar krimin dhe jo policia.
“Po bëhet një propagandë e madhe që ministria është duke e luftuar krimin dhe jo policia, edhe që ja keni humb farën krimit në Kosovë, do të thotë nuk ka kriminel për ilaç, nuk gjendet askund sepse krejt i ka arrestuar Xhelal Sveçla, a keni edhe ju këtë mendim apo vetëm mua po më bëhet përshtypja që ja keni humbur, keni bërë gjenocid në krim ka bërë, ja ka humbur farën, apo këto janë raporte që gjithmonë luftohen ato statistika mirëpo tash po paraqitet që ja kanë humb farën krimit”, ka thënë Berisha.
E kjo pyetje është kundërshtuar nga deputetja Shqipe Selimi, e cila ka thënë se sindikata nuk është ftuar të flilet për ministrin.
Ndërsa kryetari i sindikatës ka thënë se policia është ajo që e lufton krimin dhe jo ministri.
“Unë nuk po dua me ua përshtat juve asnjërit, po du me qenë shumë transparent, ne e dimë kush e lufton krimin, krimin e lufton e ndjek, e heton, edhe bën rend dhe qetësi publike, dhe kontrollin e kufirit, Policia e Kosovës, pavarësisht se kush është ministri, ministri është pozitë politike… Po u them shumë sinqerisht që unë nuk kam prova, nuk kam fakte të them se ministri po e ndjek krimin, unë nuk kam deri tash, nëse i kemi do të ua them publikisht edhe juve edhe të gjithëve”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, deputeti Hisen Berisha ka thënë se sindikata duhet të luftojë për amendamentimin e ligjit për shërbim në Policinë e Kosovës dhe jo të u jap prioritet shujtave dhe pagave shtesë.
“Mos u ndjeni komod në rregullimin e ndonjë kushti, ku ta di unë, ndonjë page me ua shtu 100 euro apo me ua dhënë do shujta, asgjë, nuk vdisni urie, djemtë që shkojnë atje janë të trajnuar me qëndru edhe katër e pesë ditë pa ngrënë, janë të trajnuar ata në organizëm, ju duhet ta rregulloni një status të përhershëm të këtyre zyrtarëve të shtetit, e kjo bëhet në ligj”, ka thënë Berisha.
Por sipas nënkryetarit të Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, shujta është kërkesë legjitime.
“Nuk ka më legjitime se me lyp bukë, ka lyp një shujtë, po ku ka më drejtë se njeriu me lyp bukë nëse punon 8 orë me kërku një shujtë, sa për informatën tuaj vetëm Policia e Kosovës dhe administrata nëpër ministri nuk e merr shujtën, mjekët e marrin shujtën, doganierët e marrin shujtën, shkojmë tek arsimtarët, qysh e përfitojnë ata është në mënyra të tjera, por po, është një ministër që po ja jep shujtën, shkojmë tek gardianët, ata e hanë bukën në qendra të veta, kush po mbetet pa bukë, Policia e Kosovës”, ka thënë ai.
Para deputetëve të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, nga përfaqësuesit e sindikatës është thënë se më 10 janar kanë kërkuar takim me kryeministrin e Kosovës por ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.