Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK filloi aksioni tradicional i dhurimit vullnetar të gjakut

Me aktivitetin koordinues të shërbimit mjekësor të FSK-së, në kuadër të bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Mbrojtjes me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut (QKKTGJ), sot në Ministri të Mbrojtjes filloi aksioni i dhurimit vullnetar të gjakut.

Personeli i Ministrisë së Mbrojtjes, edhe këtë herë ju kanë përgjigjur pa hezitim këtij aksioni, në mesin e të cilëve edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, si dhurues i rregullt vullnetar i gjakut, si dhe Zv. Sekretari i Përgjithshëm, Salvador Elmazi.

Këtë radhë aksionin e bëri shumë të veçantë, dhurimi i gjakut nga Këshilltari amerikan i Ministrit të Mbrojtjes, Tom Niblock, i cili përfaqëson vlerat e tij të larta humane, krahas partneritetit tonë të ngushtë me miqtë tanë amerikan.

Edhe pse në rrethana pandemie, vlugun e aktiviteteve dhe fazës së vaksinimit, në ditën e parë të aksionit u grumbulluan doza të konsiderueshme të gjakut, që nga punëtoret e QKKTGJ-së u shpreh vlerësim i lartë për gatishmërinë e treguar.

Aksioni i dhurimit vullnetar të gjakut do të vazhdojë edhe në ditët në vijim nëpër të gjitha kazermat e FSK-së.

Aksioni vullnetar i dhurimit të gjakut është aktivitet i planifikuar në Ministri të Mbrojtjes dhe FSK dhe për shumë vite tradicionalisht mbahet dy herë në vit.

Përveç gjatë aksionit të organizuar, pjesëtarët e FSK-së kanë qenë dhe janë çdo herë të gatshëm që t’u përgjigjen kërkesave të QKKTGJ-së edhe për nevojat sporadike në raste specifike.